Komshiu i mori jetën të moshuarit për një gardh, më pas e hodhi në humnerë, detajet e reja të krimit në Memaliaj

Një 72 vjeçar i quajtur Faik Ajdini u gjet ditën e martë i vdekur, në një humnerë në afërsi të fshatit Zhapokikë në Memaliaj. Familjarët e kërkonin prej dy ditësh të moshuarin, i cili pas hetimeve të ekipit të kriminalistikës, rezultoi të ishte vrarë me disa goditje sopate, në pjesën e qafës e kokës, e më tutje hedhur për të fshehur krimin.

Ditë pas krimit makabër, të tjera detaje janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë. Policia raportoi këtë të mërkurë se ka arrestuar dy persona, babë e bir, të cilët kanë ndihmuar autorin e krimit për të fshehur trupin e viktimës. Autori i krimit, i cili ende është në arrati, dyshohet të jetë fqinji i viktimës.

Policia dyshon se motiv i vrasjes së rëndë, ka qenë një konflikt mes dy fqinjëve, në lidhje me një gardh ndarës mes dy pronave të tyre.

Autori i krimit quhet Berti Kanushi, ndërsa dy të arrestuarit janë Skënder e Bledar Ajdini (babë e bir), të cilët akuzohet se kanë ndihmuar autorin e krimit në zhdukjen e trupit të pajetë.

Policia e Gjirokastrës po vijon hetimet dhe kërkimet për arrestimin e autorit kryesor të ngjarjes.