“Të heq nga puna më thoshte, s’durova dot më” Zbardhet dëshmia e oficerit Erjon Goxhara

Oficeri Erjon Goxhara u verëdorëzua në polici pasditen e të mërkurës. Këtë të enjte është zbardhur deklarimi i tij para hetuesve, në lidhje me plagosjen e rëndë në adresë të Lorenc Kostës, inxhinierit të ERE-s që kishte lidhje jashtëmartesore me të shoqen e oficerit të policisë.

Goxhara ka treguar para hetuesve se në shumë raste Kosta e provokonte, duke i thënë se oficeri s’mund t’i bënte dot asgjë atij, pasi Kosta mund ta hiqte nga puna. Ditën e hënë në orët e pasdites, kohë kur edhe ndodhi krimi, Goxhara u ka thënë hetuesve se inxhinieri i ERE-s kaloi dy herë para tij dhe të bijës, të cilët drekonin në një fast food në zonën e ‘Komunës së Parisit’.

“Isha tek Komuna e Parisit me vajzën dhe ishim ulur në një sufllaqe. Para tavolinës tonë kaloi Lorenc Kosta dhe më provokoi. Ai kaloi dy herë para tavolinës sime dhe më ngacmonte gjithmonë që përballeshim dhe më thoshte s’më bën dot gjë mua sepse unë të heq nga puna.

Të hënën nuk durova më dhe e qëllova. Nuk kam dashur ta vras dhe prandaj qëllova poshtë.

Pas plagosjes kam telefonuar djalin dhe e kam takuar tek rrethi i Shkozës. Kemi shkuar bashkë me taksi për në Fresk dhe aty jam përballur me një polic civil i cili më thirri me emër dhe më tha të qëndroj duke më nxjerrë armën. Unë i thashë më mirë vras veten sesa të dorëzohem dhe jam larguar në drejtim të Dajtit… derisa vendosa të vetëdorëzohem”, ka thënë Goxhara përpara hetuesve.

Pavarësisht pretendimit të oficerit se është provokuar, hetuesit nuk janë të bindur në këtë fakt pasi sipas provave dhe deklarimeve të mbledhura deri më tani, rezulton se efektivi e ka ndjekur shënjestrën e tij dhe e ka planifikuar plagosjen.

Hetuesit ende nuk kanë marrë dëshminë e të plagosurit, i cili qëndron akoma në spital. Policia e ka referuar ngjarjen në prokurori me akuzën e vrasjes me paramendim, të mbetur në tentativë.