Siçili: Misteri i mbytjes së jahtit 35 milionë euro, gjendet trupi i miliarderit britanik

Autoritetet italiane po xnjerrin një nga një të zhdukurit në rrënojat e jahtit që u fundos në brigjet italiane pak ditë më parë. Ekipet po punojnë për të nxjerrë trupin e të fundit të zhdukur, ndërsa jahti gjendet 55 metra në ujë.

Në mesin e të vdekurve u gjend dhe trupi i pajetë i sipërmarrësit britanik të teknologjisë Mike Lynch. Autoritetet gjetën dhe trupin e vajzës së këtij të fundit, Hannah Lynch.

Media italiane shkruan se superjahti me vela u mbyt në vetëm 60 sekonda. Ende mbetet veshur në mister sesi një jaht me vlerë mbi 35 milionë euro u fundos aq lehtësisht, ndërkohë që një tjetër jaht ngjitur me të, nuk pati as dëmtimin më të vogël prej përkeqësimit të ndjeshëm të motit.

Një tjetër detaj i dyshimtë është fakti se nga 22 personat në bord, ata që ndërruan jetë janë të pasurit me familjarët e tyre. Veç pronarit të jahtit Lynch dhe të bijës, ndërruan jetë Jonathan Bloomer, presidenti i Morgan Stanley International, gruaja e tij Judy si dhe avokati Chris Morvillo. Bashkëshortja e këtij të fundit, ende nuk është gjetur.

Hetuesit po verifikojnë përse balancuesi i varkës nën ujë, nuk ishte ulur plotësisht pavarësisht parashikimeve për një përkeqësim të ndjeshëm të motit.

Pronari i jahtit, britaniku Mike Lynch, po festonte lirimin nga akuzat në adresë të tij të ngritura në Shtetet e Bashkuara, në lidhje me raste hetimore për mashtrim dhe manovra të tjera me kompanitë e tij.