Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar dy raste të etheve të Nilit në dy fshatra të Elbasanit. Dy personat e prekur ndodhen përkatësisht në fshatin Bujqës dhe Jagodinë.
Dy të prekurit nga sëmundja e etheve të Nilit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe tanimë të shëruar. Një prej tyre është 74 vjeçar, ndërsa tjetri 45 vjeç.
Pas zbulimit të rasteve, është bërë dezinfektimi i dy fshatrave.
Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen nga pickimi i mushkonjave të cilat bartin sëmundjen.
Simptomat
Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë.
Rreth 80% e rasteve të transmetuara te njerëzit nuk manifestojnë simptoma. Kur manifestohen simptomat ato janë shumë të ngjashme me gripin:
- temperaturë e moderuar,
- gjendje parehatie e përgjithshme
- ulje të oreksit
- të përziera,
- dhembje koke,
- dhembje sysh,
- dhembje shpine,
- dhembje muskujsh,
- kollë
- puçrra,
- diarre
- nyje imfatike të zmadhuara,
- vështirësi në frymëmarrje.
Format më të rënda të sëmundjes, që kërkojnë trajtim të specializuar, karakterizohen nga simptoma më të rënda, si:
- temperaturë e lartë,
- encefalit
- meningjit
- dhembje të forta të kokës,
- dobësi dhe paralizë të lehtë,
- simptoma gastrointestinale,
- çorientim,
- të dridhura
- konvulsione
- puçrra në kurriz, qafë, krahë dhe këmbë,
- ataksi (humbja progresive e koordinimit të muskujve),
- koma.
Më pak se 1% e pacientëve të prekur paraqesin simptoma të rënda dhe / ose fatale.
Personat e infektuar dhe që kanë kaluar ethet e Nilit Perëndimor kanë fituar imunitet të përhershëm.
Trajtimi
Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike, zakonisht përdoren medikamente që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes.