Vrau 34 vjeçarin pasi i ngacmoi të dashurën, 25 vjeçari lihet në burg: Më qëlloi në grusht, nuk doja ta vrisja

Me kokën e ulur dhe duart që i mbulonin fytyrën, 25 vjeçari Darment Keli ka dalë këtë të martë përballë gjykatës së Tiranës, e cila ka vendosur masën e arrestit me burg për të.

Pasditen e 24 gushtit në zonën e Astirit në Tiranë, i riu u konfliktua me një 34 vjeçar të quajtur Amarildo Hoxhallari, i cili sipas tij i ngacmoi të dashurën fill sapo ai u nda me të. Keli e qëlloi 4 herë me thikë 34 vjeçarin Hoxhallari, i cili ndërroi jetë më tutje në spital.

Para trupës gjykuese, i riu deklaroi se nuk kishte patur për qëllim ta vriste 34 vjeçarin, të cilin fillimisht e pa nga ballkoni i shtëpisë që po i ngacmonte të dashurën.

 “Nuk doja ta vrisja, as nuk e thërrita për të kryer ndonjë veprim të tillë. E pyeta se çfarë bënte, pasi ngacmoi bashkëshorten time. Përdori një fjalor fyes dhe denigrues dhe më qëlloi me grusht. E kam kryer veprimin në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike. E kam goditur disa herë në krah dhe pastaj kam ikur në shtëpi. Jam i penduar, nuk kam dashur ta vras.’- tha Keli.

Pas krimit i cili ka ndodhur në rrugë, 34 vjeari i plagosur Amarildo Hoxhallari është larguar me motor me një mik të tij, Ardi Marishtën. Pas afro 500 metrash rrugë, Hoxhallari ka rënë nga motori. Pas transportimit në spital 34 vjeçari humbi jetën atje si pasojë e plagëve të marra në gjoks e këmbë.

Në lidhje me viktimën, Amarildo Hoxhallari ishte një emër i njohur për policinë e kryeqytetit. Në vitin 2015, ai u arrestua së bashku me kushëririn e tij Aurel Hoxhallari, nën akuzën e porositjes e financimit të një atentati të ndodhur më 5 janar 2015 në ‘Rrugën e Kavajës’ në Tiranë, atje ku i plagosur mbeti Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit dhe një efektiv.

Ky i fundit, oficer Roland Meta, qëlloi për vdekje atentatorin Artur Baze, që sipas policisë ishte paguar nga kushërinjtë Hoxhallari.

Kushëriri i 34 vjeçarit që mbeti viktimë në Astir këtë gusht, pagoi po ashtu në vitin 2018 shtetasin grek Efthymiou Efthymious për të vrarë Devi Kasmin. Kushëriri i 34-vjeçarit Aurel Hoxhallari u dënua me burgim të përjetshëm ndërsa Gjykata e Posaçme i konfiskoi pasurinë.