Mori me qira “Audi R8” në Gjermani, e ‘denoncoi’ si të vjedhur në Tiranë, si u zbulua mashtrimi i turkut

Një 39 vjeçar me origjinë turke por banues në Gjermani, është arrestuar nga autoritetet në Tiranë, pas orvatjes së tij për të mashtruar me një makinë luksoze “Audi R8”.

39 vjeçari  Yucehan Er, e kishte marrë makinën (me një vlerë prej afro 200 mijë dollarësh) në një servis gjerman që jepte automjete me qira. Turku e solli makinën në Tiranë, nga ku e denoncoi sikur ja kishin vjedhur.

Turku ka negociuar me një shtetas shqiptar të apasionuar pas makinave, që t’ja shiste këtij të fundit për 50 mijë euro. Shqiptari quhet Elvis Kosova dhe është i njohur pasi ka fituar gara shpejtësie të zhvilluara në vend

Pavarësisht se Yucehan Er ia kishte hequr baterinë e GPS-n makinës luksoze (për të mos u lokalizuar), kompania gjermane ka dyshuar mbi rastin dhe njoftuar më tutje autoritetet.

Policia e Tiranës nisi hetimet dhe arrestoi 39 vjeçarin turko-gjerman. Në pranga ra dhe 38 vjeçari që kishte blerë makinën për 50 mijë euro.

Automjeti u gjend  në fshatin Prush, ndërsa autoritetet shpallën në kërkim pronarin e banesës ku ishte parkuar Audi 200 mijë dollarësh.

Njoftimi i plotë:

Tiranë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, dhe goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Finalizohet operacioni policor i koduar “R 8”.

Bëri kallëzim të rremë, për qëllime përfitimi, për vjedhjen e një automjeti tip “Audi” të cilin e kishte marrë me qira në Gjermani, arrestohet autori i dyshuar.

Arrestohet gjithashtu 38-vjeçari që mori automjetin dhe shpallet në kërkim pronari i banesës ku u gjet i parkuar automjeti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “R 8”.

Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. E., 39 vjeç, banues në Gjermani, dhe E. K., 38 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit J. H., 20 vjeç, banues në Prush.

Shtetasi Y. E., ka marrë me qira një automjet tip “Audi”, në Gjermani, të cilin e ka sjellë në Shqipëri dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë se ja kanë vjedhur në afërsit të një hoteli në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, ja ka dhënë automjetin shtetasit E. K., dhe ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij, për qëllime përfitimi.

Gjatë kontrollit në oborrin e një banese në fshatin Prush, u gjet i parkuar automjeti tip “Audi”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare.

Vijon puna për kapjen e shtetasit J. H., i cili kishte fshehur automjetin në oborrin e banesës së tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.