U godit nga helikat e gomones në Karaburun, ndërron jetë 1 muaj pas aksidentit ish-basketbollsti

Një muaj më parë (korrik) Alban Kukaviqi kishte shkuar me pushime me familjen në gadishullin e Karaburunit, atje ku një gomone e plagosi rënë në këmbë me helikat.

60 vjeçari, ish basketbollist, u nis drejt Turqisë për t’u mjekuar. Një muaj pas ngjarjes, ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të shkaktuara dhe ka humbur jetën gjatë një operacioni të tretë në gjymtyrë. 60 vjeçari do të vendoste një protezë, por trupi i tij nuk arriti të durojë më dot narkozën, pas dobësimit nga dy ndërhyrjet e para.

“Thellësisht të prekur nga humbja e parakohshme e kolegut tonë të dashur, Alban Kukaviqi, i cili në karrierën profesionale 31-vjeçare, pranë këtij institucioni, ka dhënë kontribut të çmuar në inspektimin e punës.

Stafi i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore i shpreh familjes ngushëllime të sinqerta!

Lamtumirë, i dashur koleg! Mënçuria, mirësia dhe humori jot do të na mungojë shumë!’- bën me dije Inspektoratit Shtetëror i Punës, ku Kukaviqi ishte punonjës.

Personi që drejtonte gomonen u arrestua një ditë më vonë. 42 vjeçari u akuzua për plagosje të rëndë me dashje.