Korçë: Shoferi pëson infarkt në timon, humb kontrollin e mjetit dhe përplaset në bulevard

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e të hënës në bulevardin ‘Republika’ në Korçë, ku një automjet ka hyrë në korsinë e kundërt dhe më pas është përplasur me një tjetër makinë.

Zv.Drejtori i Rendit në Korçë Bedri Hasanaj, shpjegoi se shoferi 51 vjeçar i automjetit që shkaktoi aksidentin, ka pësuar infarkt në zemër. Burri ka humbur jetën më pas në spital.

Hasanaj ka sqaruar se rreth orës 9:50 një Volkswagen dhe një Mercedes Benz janë përplasur, pasi drejtuesi i makinës së parë humbi kontrollin e doli në korsinë e kundërt.

 “Drejtuesi i Volkswagen-it ka pësuar një infarkt miokardi dhe ka humbur kontrollin e mjetit, çka ka çuar në përplasjen fatale. Pas aksidentit, është marrë masa për transportimin e tij në urgjencë, por ai ka ndërruar jetë në spital,” tha Hasanaj.