Itali: Zbardhet dëshmia e 17 vjeçarit që i mori jetën nënës, babai dhe vëllait të vogël

“Isha i bindur se nëse i vrisja, do të mund të jetoja i lirë. Duke u shkëputur nga familja ime, do të mund të jetoja i vetëm”

Këto janë fjalët e një 17 vjeçari të quajtur Riccardo, i cili natën mes 31 gushtit e 1 shtatorit, vrau të gjithë familjen e tij, babain, nënën dhe vëllain e vogël. Babai i adoleshentit kishte mbushur 51 vjeç një ditë më parë, ndërsa familja e kishte festuar ditëlindjen mes të afërmve.  17 vjeçari i mori jetën prindërve dhe të vëllait të mitur duke i godiur me thikë.

Së fundmi media italiane, ka sjellë detajet nga dëshmia e adoleshentit, që në familje e quanin ‘ajnshtajni i ri’ për shkak të ‘gjenisë’ së tij në matematikë.

I riu fillimisht tentoi të krijojë alibi duke i thënë karabinierëve se babai kishte vrarë nënën e vëllain, por më tutje tregoi para hetuesve se në fakt, krimi trefishtë kishte ardhur nga duart e tij.

I pari që humbi jetën nga goditjet me thikë ishte Lorenzo, vëllai i vogël i adoleshentit. Lorenzo ishte veçse 12 vjeçar.

17 vjeçari e qëlloi për vdekje të vëllanë teksa ky flinte gjumë në dhomën e tyre të përbashkët. E dyta viktimë, nëna. Daniela 49 vjeçe ishte zgjuar pasi kishte dëgjuar zhurmë. Ajo po ashtu u godit për vdekje në dhomën e fëmijëve. Më tutje ka qenë kryefamiljari i cili është çuar.  Kur babai ka hyrë në dhomën e fëmijëve, ka parë djalin e vogël dhe të shoqen të mbuluar në gjak.

Pa e kuptuar se çfarë kishte ndodhur, babai i thotë 17 vjeçarit që të njoftojë menjëherë ambulancën, por i biri nuk lëshon thikën që mbante në dorë. Në momentin kur kryefamiljari ulet drejt trupit të të shoqes, 17 vjeçari e godet me thikë në shpatull, ndërsa më tutje në qafë.

Media italiane po ashtu ka zbardhur momentin kur vrasësi u tregon hetuesve sesi i mori jetën të atin.

“Ai nisi të më ulërasë që të thërras urgjencën. E pashë në momentin që u përkul drejt trupit të mamit dhe aty e godita (me thikë) nga pas”, rrëfen vrasësi.

Të shumta janë goditjet me thikë të gjendura në trupat e tre viktimave.

“Nuk doja që ata të vuanin”-tregoi para hetuesve Riccardo. Më tutje 17 vjeçari shpjegon se këtë mendim e kishte mbajtur në kokë përgjatë gjithë ditës, përpara se të vriste të gjithë familjen.

“Mendova se një plagë me thikë do të mjaftonte për të vdekur. Pastaj pashë se ata po vazhdonin të vuanin. E kisha mbajtur këtë mendim gjatë gjithë ditës”, vijon 17 vjeçari në dëshminë e tij.

Në këtë moment, hetuesit e pyesin se përse ai kreu një krim kaq të rëndë, të paimagjinueshëm.

“Isha i bindur se duke i vrarë do të mund të jetoja i lirë. Duke u shkëputur nga familja ime, do të mund të jetoja i vetëm”, tregon adoleshenti.

Por shumë pikëpyetje lindin nga ky rrëfim i të riut, i cili brenda pak muajsh bënte 18 vjeç dhe lirisht mund të largohej për të jetuar i vetëm. Familja e cila jetonte në një zonë të mirë në Milano, ishte e pasur. Babai i 17 vjeçarit drejtonte një firmë që ia kish dorëzuar i ati, ndërsa e ëma kishte një dyqan.

Mes pyetjeve për motivin e vrasjes së trefishtë, Riccardo tregon se kishte menduar të shkonte dhe në luftë.

“Doja të shkoja të luftoja në Ukrainë një ditë. Por kjo nuk ka të bëjë fare me atë që kam bërë”, ka thënë ai para hetuesve.

Veç autorit të krimit që tronditi mbarë Italinë, hetuesit kanë pyetur në detaje të afërmit, miqtë, familjarët e të njohurit e familjes dhe të vrasësit.

Gjyshi (nga ana e babait) tregon se prindërit ishin kërkues ndaj fëmijëve, kur fjala ishte për shkollimin. Por ai ngulmon se kërkesat e Danielës e Fabios (nëna e babai) ishin krejt normale.

“Edhe pse prindërit ishin kërkuar, veçanërisht nëna, flasim për një presion normal, për një vëmendje tek studimet që nuk ishte obsesionale”, ka treguar para hetuesve gjyshi i vrasësit.

Arsyeja se përse 17 vjeçari kreu këtë krim makabër, mbetet ende një çështje e pazbardhur. Hetuesit e prokuroria vijojnë ende të mbledhin prova për të kuptuar.

Riccardo akuzohet për “vrasje e rëndë e shumëfishtë”.