U burgos pasi rrahu babain, 49 vjeçarin nuk e mban zemra kur i ati e viziton, humb jetën në spital

Një 49 vjeçar ka humbur jetën të mërkurën, në reanimacionin e QSUT-së në Tiranë.

A.Sabriu ishte në paraburgim për akuzën e dhunës në familje që prej muajit maj. 49 vjeçari kishte ushtruar dhunë ndaj të atit të moshuar në atë kohë, krim për të cilin ishte prangosur nga autoritetet.

Sabriu ndërroi jetë për shkak të komplikacioneve në zemër, të cilat nisën ditën kur babai i tij i erdhi për vizitë në burg. Ardhja e babait në burg mesa duket e ka tronditur 49 vjeçarin, i cili është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat.

Ai është transportuar fillimisht në spitalin e Korçës. Prej atje mjekët e kanë dërguar me urgjencë në Tiranë, por 49 vjeçari është shuar prej problemeve në zemër.

Njoftimi: 

I paraburgosuri A.S ka ndërruar jetë sot, më datë 04.09.2024, rreth orës 10:30, në Reanimacionin Qendror të QSUT-së.

Shtetasi i paraburgosur ishte shoqëruar në Spitalin Rajonal Korçë, pasi humbi ndjenjat në dhomën e tij pas takimit me të atin.

Me rekomandim të mjekëve të spitalit, ai u transferua dhe u shtrua në Reanimacionin Qendror në QSUT për shkak të problemeve kardiake.

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Korçë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për njoftimin e Prokurorisë, Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, si dhe Specialistit të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHKBSB).

I paraburgosuri, i lindur më 29.08.1975 në Maliq, ishte arrestuar më 22.05.2024 për dhunë në familje dhe ishte transferuar në IEVP Korçë më datë 25.05.2024 nga Komisariati i Policisë Korçë.