“Konflikte s’kam, jam i papunë” Dëshmia dhe e shkuara e të plagosurit në atentatin në “Don Bosko”

“Autorët nuk i pashë, nuk di të them kush më ka qëlluar, sepse unë nuk kam konflikte me askënd”

Është ky deklarimi i parë i Kastriot Elezit, 45 vjeçarit që u qëllua me armë me silenciator në zonën e ‘Don Boskos’ në Tiranë. Nga spitali i traumës, ku qëndron me një plagë në gjoks, 45 vjeçari ka shpjeguar se ai konsumon kafen çdo ditë në lokalin ku ndodhi atentati i dështuar.

“Po pija kafe poshtë shtëpisë me Ronaldon, sikurse bëj pothuajse çdo ditë. Nuk kam asnjë angazhim në ditën time, sepse jam i papunë. Autorët nuk i pashë, nuk di të them kush më ka qëlluar, sepse unë nuk kam konflikte me askënd dhe nuk ruhem. Dal çdo ditë në kafe dhe në rrugë”, ka thënë para hetuesve Elezi.

Veç 45 vjeçarit, i plagosur nga atentati mbeti dhe një 22 vjeçar i quajtur Ronaldo Metushi. Ky i fundit mori një plumb në pjesën e këmbës, ndërsa përpara autoriteteve ka mohuar të ketë përplasje apo konflikte.

Hetuesit vijojnë ende të mbledhin prova e dëshmi, për të mbërritur tek personat që tentuan të vrasin 45 vjeçarin, i cili deri më tani, duket të jetë shënjestra e tyre.

Nga ana tjetër, Kastriot Elezi nuk është një person i panjohur për drejtësinë, në veçanti atë jashtë vendit tonë. 13 vite më parë, në gusht të vitit 2011 në Austri, Elezi së bashku me një shqiptar tjetër arritën të kryejnë një arratisje spektakolare nga burgu. Në atë kohë Elezi ishte ndaluar nga autoritetet për llogari të Shqipërisë, pasi dyshohej për grabitje.

Në lidhje me arratisjen, media austriake shkruante se Elezi (32 vjeçar në atë kohë) së bashku me Kastriot Dushin kishin arritur të arratiseshin përmes tubave të ajrimit të kuzhinës, duke përdorur si mjete të volitshme enët e kuzhinës.

Pas daljes nga burgu, dy shqiptarët i ka pritur një person i tretë, i cili mandej i ka larguar me makinë.

Po ashtu Elezi rezulton të ketë qenë i dënuar edhe për një akuzë në Itali. Dënimin për këtë akuzë ai e ka vuajtur dhe tanimë është i lirë.