Gjykata e Durrësit ka lënë nën masën e arrestit me burg Esmerald Ballën për akuzën e vrasjes së të atit. Në burg është lënë dhe 25 vjeçari Edison Brahaj, i cili ndihmoi mikun e tij të zhdukte trupin e më pas ta hidhte në një pus afro 1 km larg shtëpisë në Shënavlash.
Para togave të zeza, Esmerald Balla ka thënë shkurtimisht se krimin e ka kryer për vetëmbrojtje. Duke shfaqur pendesë për atë që ka bërë, ai tha para gjykatës se ‘nuk ka më kthim pas’.
Nga ana tjetër, prokurori i çështjes Pali Deçolli, ka shpjeguar në seancë disa detaje, sesi ka ndodhur ngjarja.
“Fillimisht (babë e bir) u zunë me grushta, pastaj Esmeraldi e qëlloi me pistoletë. Kur 62 vjeçari ra përtokë, Esmeraldi e qëlloi edhe njëherë tjetër. Në bashkëpunim me Edisonin, tërhoqën trupin dhe e hodhën në pusin e një familjeje tjetër, afro 1 km larg vendit të ngjarjes”, tha prokurori.
Brahaj nga ana tij, pati disa qëndrime kontradiktore me atë që ka rrëfyer para hetuesve më herët. Fillimisht përmes avokatit mbrojtës ai ka deklaruar se në polici është dhunuar që të pranojë përfshirjen në vrasje, por i pyetur sot (e shtunë 9 shtator) nga gjykatësi, ai ka hedhur poshte versionin e dhunës dhe gjithashtu faktin e bashkëpunimit në vrasje.