Tragjik aksidenti në Kukës: Babai 46 vjeçar ndërron jetë, vajza e tij e mitur shpëton

Dy aksidente të rënda kanë ndodhur në harkun kohor të një ore në Shqipëri, duke i marrë jetën një 46 vjeçari e plagosur të paktën 3 të tjerë.

I pari aksidenti, ai më i rëndi e tragjiku, ndodhi në Kukës. 46 vjeçari me inicialet A.I udhëtonte me makinë me të bijën e mitur në vendin e quajtur Ura e Topojanit, kur ka humbur kontrollin e automjetit ‘Mitsubishi’ dhe ka dalë nga rruga.

Aksidenti i ka marrë jetën babait 46 vjeçar, ndërsa vajza e tij i shpëtoi vdekjes. E mitura u dërgua në spital dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Afro 1 orë më vonë një tjetër aksident, kësaj here në Korçë, në afërsi të fshatit Dvoran. Dy automjete u përplasën mes tyre duke lënë të plagosur dy persona. Aksidenti ka qenë i fortë, ndërsa një makinë është përmbysur në rrugë.

Policia bëri me dije paraprakisht se aksidenti ndodhi për shkak se njëra makinë (‘Jeep-i’ i përmbysur) i ka prerë rrugën tjetrës (Benz-it). Një prej shoferëve mbeti i bllokuar në makinë deri në ardhjen e zjarrfikësve.