Korçë: Solli në jetë fëmijë me vajzën 14 vjeçe, lihet në burg 21 vjeçari, familjarët e të rinjve kundër

Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për të riun Dritson Kurti, i cili u arrestua nga policia tre ditë më parë nën akuzën e marrëdhënies seksuale me të mitur.

Prej një viti 21 vjeçari ishte martuar me një vajzë 14 vjeçe, ndërsa prej lidhjes së tyre ka ardhur në jetë një fëmijë. Pikërisht në momentin kur e mitura ka sjellë në jetë fëmijën në maternitet, autoritetet policore janë njoftuar mbi rastin dhe kanë arrestuar 21 vjeçarin.

Vetë familjarët e Dritsonit thonë se janë kundër arrestimit të tij, duke pretenduar se kjo është një traditë e komunitetit rom, ku 21 vjeçari e nëna 14 vjeçare bëjnë pjesë.

Të njëjtin argument dhe kundërshti kanë shfaqur dhe prindërit e vajzës, të cilët janë shprehur se Kurti me 14 vjeçaren janë lidhur me dëshirën e tyre dhe dashurohen.