“U zunë me djalin” Si i mori jetën dy personave 49 vjeçari në Roskovec, pamjet nga vendi ngjarjes

Xhaxhai Gramos Kurti së bashku me nipin e tij Lavdimir Kurtin, janë dy burrat të cilët u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi në fshatin Kurjan të Roskovecit (Fier).

Ngjarja e rëndë ndodhi këtë të martë në afërsi të një lokali në Kurjan. Autori i quajtur Altin Kuka, është vetëdorëzuar në polici pasi ka vrarë me armë dy burrat.

Motivi vrasjes së dyfishtë

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se motiv i vrasjes së dyfishtë ka qenë një sherr i mëhershëm mes djalit të autorit dhe viktimave. Kur është prangosur e shoqëruar, Kuka ka thënë se “i vrava se u zunë me djalin”.

Motivi në fjalë mbetet ende në kuadrin e dyshimeve, ndërsa hetimet e mëtejshme pritet të hedhin dritë mbi arsyen/et e krimit të rëndë.

Dinamika e ngjarjes

Autori 49 vjeçar Altin Kuka ka shkuar pranë kafenesë së fshatit ku dhe ndodheshin xhaxhai me nipin e tij. Altin Kuka ka hyrë në ambientet e brendshme të lokalit dhe prej aty ka qëlluar me breshëri, duke i marrë jetën në vend Gramos e Lavdimir Kurtit.

Në lidhje me ngjarjen shefi i policisë së së Roskovecit Shpëtim Hasanaliaj deklaroi:

“Rreth orës 14:00 në fshatin Kurjan të bashkisë Roskovec ka ndodhur ngjarje e rëndë kriminale, ku shtetasi Altin Kuka, banues në Fier dyshohet si autor i ngjarjes kriminale duke vrarë me armë zjarri automatik, dy shtetas xhaxha dhe nip, të cilët kanë ndërruar menjëherë jetë në vendngjarje. Pas kryerjes së këtij akti kriminal, shtetasi Altin Kuka është vetëdorëzuar në polici së bashku me armën e krimit. Policia në bashkëpunim me policin e rrethit Fier po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. Për momentin dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, për shkak të një grindje që ka pasur djali i tij me 2 viktimat’.