Kush e fitoi debatin mes Donald Trump e Kamala Harris?

Mbrëmjen e të martës miliona amerikanë panë me kërshëri debatin e parë, e mbase të fundit, mes ish- Presidentit Donald Trump e zv.Presidentes Kamala Harris.

Sot debati ka  qenë në krye të çdo medie ndërkombëtare, ndërsa pyetja të cilës të gjithë rreken t’i japin përgjigje, cili kandidat e fitoi debatin.

“New York Times” shkruan se debati më së shumti është fokusuar në përplasjet dhe akuzat personale mes dy kandidatëve.

“Dy kandidatët luftuan verbalisht, shpesh herë në terma thellësisht personalë dhe me argumente politike që në të shumtën e rasteve binin në hije prej akuzave personale”,shkroi NYT.

“Analistët politikë dhe komentatorët vunë re se Trump shpesh herë e gjeti veten në pozita mbrojtëse në çështje si aborti, duke lejuar kësisoj veten që të bie pre e Harris dhe t’i largohet përcjelljes së mesazhit të tij. Zv.Presidentja nga ana tjetër tentoi të nënvleftësojë numrin e pjesëmarrësve nëpër mitingjet e Trump, duke sugjeruar më tutje se edhe liderët ushtarakë të vendit e shohin atë si një “turp”. Trump iu përgjigj akuzave shpesh herë me inat, duke thënë se Harris nuk ka asnjë politikë të sajën dhe se ka qenë zv.Presidentja më e dobët në të gjithë historinë politike të vendit.”-analizon “New York Times”.

Reuters, një tjetër media prestigjioze, analizoi debatin dhe publikoi një artikull me titull “Harris vendos Trump në mbrojtje në debatin luftarak”.

Reuters ndalon në një prej përplasjeve mes kandidatëve, të cilin e nisi Trump. Ky i fundit iu referua disa postimeve në rrjetet sociale, ku thuhej se disa emigrantë nga Haiti, kanë vjedhur kafshë shtëpiake (mes tyre qen dhe mace) në lagjet e Springfield-it në Ohio, për t’i ngrënë. Reuters thotë se mbi këto pretendime nuk ka asnjë provë se kanë ndodhur.

“Trump u përmbys në një deklaratë të rreme për disa emigrantë që hanin kafshë shtëpiake në Springfield, pretendim që ka qarkulluar në rrjetet sociale dhe është aplifikuar nga kandidati për zv.President, Senatori JD Vance.

‘Ata po hajnë qentë’, tha Trump, ndërsa Harris qeshte me mëdyshje. ‘Njerëzit kanë ardhur në këtë vend dhe po hajnë macet. Ata po hajnë kafshët shtëpiake të banorëve që jetojnë atje’,tha Trump.

Harris ironizoi duke thënë “hajde flit për ekstreme”. Ajo kishte patur në plan që ta nxiste Trump-in të thoshte gjatë debatit për pretendimet e ngritura në rrjetet sociale, na treguan këshilltarët e saj më herët”-shkruajti Reuters.

Edhe ne media që historikisht janë në kampin e Partisë Konservatore, debati u pa si një fitore e lehtë e zv.Presidentes Harris.

Fox News shkruan përmes analistit Doug Schohen se ishte “shumë e qartë që Harris e fitoi debatin”. Më tutje analisti vë theksin tek fakti se sipas tij Zv.Presidentja pati ndihmën e moderatorëve të ABC-së, të cilët zhvilluan debatin.

“Harris u ndihmua dhe u nxit nga dy moderatorët e ABC Neë, të cilët ndjenë nevojën për të korrigjuar çdo gje që ish Presidenti Trump tha. Trump ishte dukshëm i frustruar dhe u bë edhe më shumë i ashpër gjatë një debati që zgjati dy orë thuajse. Kamala Harris mori siguri kur pa sesi Trump binte pre e pyetjeve të panumërta prej saj dhe dy moderatorëve David Muir dhe Linsey Davis. Edhe pse Harris e fitoi debatin, nuk është ende e qartë, nëse ky debat 56 ditë larg ditës së zgjedhjeve, do të ndikojë thellësisht rezultatin e 5 nëntorit”-shkroi analisti për Fox.