Anduena mundohet t’i mbajë lotët para se ato t’i pushtojnë të folurën. Prej pesëdhjetë e dy ditësh e netësh zgjodhet dhe e gdhin në repartin e reanimacionit, aty ku e bija e vogël Siera ndodhet.
Vogëlushja ende nuk i ka mbushur dy muaj në këtë botë. Po lufton me vdekjen, ndërsa në mushkëritë e saj të brishta një sëmundje e rrallë që po ia merr jetën dalëngadalë.
Anduena dhe familja e saj përballen me ditët më të rënda që mund të përjetojë një prind. Pas 9 muajsh ëndrra e pritje, kjo nënë rreket t’i flasë të bijës, t’i tregojë sesa shumë fustane ka blerë për të, sesa dëshirë do të kishte të bënte me të bijën, qoftë edhe një shëtitje të vogël me karrocë.
“Të gjithë po të presim tek shtëpia, i kemi bërë gati të gjitha, krevatin… (qan) Ka fustane pafund që të presin, por që nuk i veshim dot. Prisja të bënim shëtitje me karocë, por jemi këtu, brenda cilindrit.”-thotë nëna e Sierës së vogël.
Siera nuk ka kohë. Sëmundja po e venit. Në Shqipëri shanset janë të pakta për vogëlushen, ndaj edhe ajo duhet të niset urgjentisht për kurim të specializuar në Italinë fqinje.