“Para 52 ditësh solla në jetë vajzën. Shpresoja shumë që të vinte momenti të më thonin merre në dhomë, por ai moment nuk erdhi, dhoma mbeti bosh. Kaluan ditë dhe pas analizave doli se kishte një sëmundje shumë të rrallë. Siera ishte shumë rëndë, e intubuar.”
Këto janë fjalët e një nëne që pas 9 muajsh pritje, iu mohua një ndër momentet më të bukura të jetës… të merrte për herë të parë në krahë foshnjen e saj.
Në një rrëfim përlotës për “Shqiptarët për Shqiptarët”, Anduena tregon se kanë kaluar 52 ditë dhe ajo ende nuk e ka marrë në krahë vajzën. Kjo sepse Siera është e prekur nga një sëmundje e rrallë në mushkëri. Anduena tregon se i vetmi shpëtim për të bijën, është dërgimi i saj për kurim të specializuar jashtë shtetit.
“Më thanë që ajo kishte një sëmundje shumë të rrallë, që e bën të jetë gjithmonë e lidhur me aparatin. Është e pamundur që të jetojë një njeri ashtu, sidomos në kushtet që ka vendi. Nuk e di sesa kohë do të ketë Siera nëse qëndron në Shqipëri. Eshtë e tmerrshme të shikosh fëmijën tënd që është 50 ditësh dhe ti nuk e ndihmon dot. Jemi një familje normale, është e pamundur ta përballojmë (kurimin jashtë shtetit). Unë i lutem me zemër të gjithë shqiptarëve dhe kush të mundet, që Sierës të paktën t’i jepet një mundësi të jetojë.”, thotë Anduena.