Një rast i pazakontë, një telefonatë e gabuar por që u bë shkas për të shpëtuar një grup me emigrantë të paligjshëm që ishin nisur drejt Britanisë përmes kanalit të La Manshit.
Kështu raporton media amerikane, e cila i ka kushtuar një artikull ngjarjes së pazakontë që nisi nga një telefonatë nga Shqipëria. Një i ri në vendlindje është njoftuar nga i vëllai emigrant, që gomonia e tyre po fundosej në kanalin anglez.
Për t’i shpëtuar jetën të vëllait, shqiptari ka hyrë në Google për të gjetur numrin e autoriteteve në Dover të Britanisë. Por gabimisht ai ka marrë në telefon autoritetet në Dover të Delaware-it, në SHBA.
Pavarësisht gabimit të adresës, autoritetet policore në Dover të Delaware, kanë arritur të koordinojnë me njoftimin e agjencive ndërkombëtare. Në skenë më tutje hyn Roja Bregdetare Franceze e cila merr koordinatat e dhëna nga i riu nga Shqipëria se ku ndodhej i vëllai në gomone.
Në afro 15 minuta pas njoftimit, autoritetet franceze e britanike dolën në det për t’i ardhur në ndihmë emigrantëve në gomonen që po fundosej.