Gjermania në “ofensivë”: Nis dëbimet e azilantëve, në valën e parë shumica nga Kosova e Serbia

Ishte viti 2015 kur përballë numrit në rritje të emigrantëve, kancelarja e atëhershme e Gjermanisë Angela Merkel, do të thoshte “do ta menaxhojmë këtë”. ‘Gruaja e hekurt’ hapi dyert e vendit të saj për emigrantët e azilantët, një akt që hapi një debat që vijon ende sot në të gjithë Europën.

Epoka e Merkel ka përfunduar tashmë prej vitesh dhe duket se edhe filozofia e saj politike po lihet mënjanë. Gjermania ka nisur së fundmi një “ofensivë” për dëbimin e personave të cilëve u mohohet e drejta për azil në vend. Në valën e parë të të dëbuarve janë 36 persona, shumica dërrmuese nga Kosova e Serbia.

“Bild” shkruan se tanimë janë kryer disa fluturime riatdhesimi për të kthyer mbrapsht ata që nuk pranohen. Deutsche Welle (në gjuhën serbe) thotë se personave në fjalë nuk i është njohur e drejta për të qëndruar në Gjermani. Mes të dëbuarve, ka edhe persona që e kanë humbur të drejtën e qëndrimit. Disa prej tyre rezulton të jenë dhe persona të dënuar nga gjykatat.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, raportohet se autoritetet gjermane i kanë larguar afro 795 persona, shtetas këta të Kosovës e Serbisë.

Që prej datës 16 shtator të këtij viti, policia e Gjermanisë ka nisur monitorimin e kufijve tokësorë në veri dhe perëndim, duke përfshirë këtu kufijtë me Danimarkën, Francën, Holandën, Belgjikën e Luksemburgun. Vendimi për të kontrolluar dhe zonat kufitare me shtetet e BE-së, vjen si pasojë e orvatjeve për të ndaluar edhe më tutje lëvizjen e emigrantëve të paligjshëm. Në terma teknikë, shkruan DW, Gjermania mund të refuzojë ata emigrantë që nuk aplikojnë për azil. Por ndalimi i tyre në kufi, sjell avantazhin e kontrollit të mëhershëm. Nëse një emigrant ka kërkuar azil në një tjetër shtet të BE-së, atëherë Gjermania mundet ta dërgojë këtë të fundit në shtetin ku ka kërkuar fillimisht azil. Procesi në fjalë, njohur si Rregullorja e Dublinit, kërkon kohë dhe resurse. Por autoritetet gjermane tanimë po kërkojnë përshpejtimin e këtij procesi, duke mundësuar banesa të përkohshme për azilantët pranë kufirit e madje edhe duke i arrestuar ata nëse konsiderohen si një rrisk.

Sipas të dhënave të policisë federale, mes Janarit e Qershorit të këtij viti, 34 mijë persona kanë tentuar të hyjnë në Gjermani. Afro 17 mijë prej tyre u është refuzuar direkt e drejta për të hyrë në kufi. Pjesa tjetër është lejuar të hyjë dhe të procedohet sipas ‘Rregullores së Dublinit’.

Për kontrast, vitin e kaluar policia ndaloi 127 mijë persona që tentuan të hyjnë në Gjermani. Nga ky numër, veçse çerekut iu mohua e drejta për të kaluar kufirin.