“Ngjituni në katet e mësipërme” Pamjet, përmbytje të mëdha në Italinë fqinje, lumenjtë mbulojnë në ujë disa qyteza

Rajoni verior i Emilia Romagna-s në Italinë fqinje, është prekur nga përmbytje masive në 24 orët e fundit si pasojë e stuhisë ‘Boris’ e cila pak ditë më parë përmbyti dhe i mori jetën disa qytetarëve në Europën qendrore.

Më të prekurat nga përmbytjet në Italinë fqinje, janë zonat e Ravenës, Faneza-s, por edhe Bolonjës e Riminit.

Si pasojë e reshjeve mbi 200 mm nga e mërkura në të enjten, lumenjtë kanë dalë nga shtrati, duke marrë përpara banesa e dhjetëra hektarë tokë.

Rrugët e Faenza-s (Ravena) u mbuluan nga uji si pasojë e fryrjes së lumenjve Marzeno e Lamone. Vërshimet mbuluan sipërfaqe të tëra me pemtari e godina. Kryebashkiaku i Faenza-s i bëri thirrje banorëve që të shmangin bodrumet dhe të qëndrojnë në katet e mësipërme, pasi rreziku është i madh.

E njëjta gjendje edhe në Castel Bolognese ku përmbytjet dhe vërshimet kanë mbërritur deri në qendrën e qytezës. Mbi 1 mijë banorë të Ravenës janë evakuuar.

Situatë mjaft komplekse edhe në Modigliana (Cesena), atje ku përmbytjet kanë qenë edhe më të rënda se ato të vitit të mëparshëm.

“Situatë shumë e rëndë. Kemi larguar disa persona nga rreziku. Lumi këtu ka shpërthyer (dalë nga shtrati)”-tregoi për ANSA-n kryebashkiaku i zonës Jader Dardi.

Edhe qyteti i Bolonjës nuk i ka shpëtuar përmbytjeve. Shkollat janë mbyllur ndërsa autoritetet kanë shpallur gjendje të emergjencës në disa zona.