Dy djem të rinj kanë mbetur të plagosur pas një përplasje me thika që ndodhi në zonën e Kasharit në Tiranë mbrëmjen e të enjtes. Personat e plagosur (18 e 19 vjeçarë) janë qëlluar me thikë nga një tjetër i ri, shoku i tyre.
Sipas të dhënave paraprake, tre miqtë kanë qenë duke konsumuar alkool, kur mes tyre kanë nisur grindjet të cilat kanë përfunduar në sherr fizik. Një prej të plagosurve ka qëlluar me shuplakë autorin, i cili mandej i është drejtuar banesës së tij, ka marrë një thikë dhe ka ardhur sërish në lokal. Aty ai ka goditur me thikë 8 herë shokun e tij, përfshi dhe mikun tjetër i cili po tentonte t’i ndante.
Fatmirësisht i plagosuri me 8 të prera në trup, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, njëlloj si dhe i riu tjetër i cili ka marrë goditje në krah në orvatje për të shuar përplasjen.
Autori, tanimë i identifikuar, ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes. Policia është vënë në kërkim të tij.
“Më datë 19.09.2024, rreth orës 22:50, përballë një pastiçerie në bulevardin e Kasharit, në Unazë të Re, gjatë një konflikti për motive të dobëta janë plagosur dyshohet me mjete prerëse shtetasit E. D., 18 vjeç, dhe E. M., rreth 20 vjeç.
Dy të dëmtuarit janë dërguar në spital dhe ndodhen në kujdesin e mjekëve, ndërsa vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të saj”, njoftoi policia.