Historia plot dhimbje e Eduartit: Babin ia mori kanceri, nëna u sëmur… bën 3 punë për të mbajtur familjen

Historia e këtij djali 25 vjeçar nis 5 vite më parë, kohë e cila do të shënonte momentet më të vështira, kthesën më të errët të jetës së tij.

Eduarti erdhi në emisionin “Për Shqiptarët”Top Channel, për të treguar sprovat e jashtëzakonshme me të cilat ai përballet.

5 vite më parë, u shënua dhe ngjarja më tragjike. Babai i 25 vjeçarit u prek nga kanceri në kokë. Njeriu që punonte ditë natë për familjen, u godit nga një sëmundje që ia shkurtoi shëndetin e pas pak kohe, i rrëmbeu dhe të fundit frymë.

“Me babain kam patur me të vërtetë një marëdhënie të mirë. Flisnim si shokë me babain. Ai nuk ndjente shqetësim në trup, por erdhi një ditë… (përlotet) Më tregonte ‘o Edi më kap një dhimbje koke e fortë’. Aty nisën gjërat… derisa për të, nuk pati më shpresë.”-tregon Eduarti mes lotëve.

Siç dikur bënte me të atin, tanimë i ra barra Eduartit që të kujdesej për bagëtinë me të cilën familja nga Peshkopia mbante veten. Të mbytur nga vëshirësitë ekonomike që la pas sëmundja e babait, Eduarti vendosi të bëjë punë të rënda në Greqinë fqinje për t’ja dalë.

Por punës së rëndë, larg motrave e nënës, i erdhi koha shumë shpejt të ndërpriteshe. Një tjetër goditje e madhe e thirri në atdhe shpirtin e këtij të riu. Nëna, më e shtrenjta, u sëmur në zemër. Sërish Eduarti, në të 20-tat e tij u bë shtylla e familjes dhe mori përsipër të gjithë barrën. Nëna u operua, kishte nevojë për ilaçe. Eduarti shiti gjithçka kishte për të ardhur në kryeqytet, në mënyrë që ai të gjente disa punë për t’ja dalë mbanë. Eduarti punoi deri në tre punë njëkohësisht dhe kurrë nuk u ankua.

E sërish, kur ai flet në studion e “Për Shqiptarët”, nuk tregon në asnjë çast për kalvarin e vuajtjeve të tij…

 “Ne kemi patur shumë momente të vështira. Tani afër ne kemi patur problemet me mamin. Ajo kaloi shumë shumë gjëra, që nga vdekja e babit. Shqetësimet e saj shëndetësore dhe ajo kurrë nuk na dha asnjë shqetësim. Nga nëna mora frymëzimin, që për familjen, për nënën, të japësh, të përkushtohesh.”-tregoi 25 vjeçari.

Më në fund… lajme të mira për këtë djalë të vuajtur

Pa e ditur zemra e tij e lënduar për kaq shumë kohë, “Për Shqiptarët” kishte bërë gati lajme të mrekullueshme për Eduartin. Së pari një mesazh nga motra e madhe, e cila u nis drejt Italisë dhe ndihmoi familjen e saj me aq mundësi sa kishte. Eduarti e ndoqi nga studio e emisionit mesazhin e të motrës dhe lotët e tij nuk ndalonin.

Miranda, motra e madhe: Edi, zemra motrës. Edhe pse nga larg, ja ku jam këtu, për të të falenderuar, ti je heroi ynë, shembulli jonë. Motra të do fort. Kështu na ka edukuar babi, të duam njëri- tjetrin, e të mos lëshojmë duart e njëri-tjetrit. Unë të falenderoj shumë për çdo gjë që ke bërë, për çdo moment që ne kemi patur nevojë për ty.

Elvisi i tregon se në radhë të parë, ai tanimë nuk do të ketë nevojë të shqetësohet për pagesën e shtëpisë me qira ku jeton familja.

Elvisi: Për Eduartin, si hap i parë. Ne e dimë që familja e Eduartit jeton me qira dhe ne si Fondacioni Firdeus do t’ja paguajmë qeranë për 12 muajt e ardhshëm.

Në mesin e lotëve dhe emocioneve, Eduarti falenderon Elvisin.

Elvisi: Eduart nuk duhet të harrosh, kushdo që vjen në këtë studio, vjen paraprakisht për vlerat që ka. Ti je shembull i atij që ke bërë të gjitha sakrificat, për të mos çeduar, për të mbajtur mirë nënën, familjen dhe nesër familjen tënde. I jap një sugjerim njerëzve, kur njeriu arrin në një moshë të caktuar, sytë e prindërve janë tek ai, sytë e fëmijëve janë tek ai. Dhe ti Eduart, je një djalë fisnik.

I dyti lajm i gëzueshëm, vjen nga Marina e cila i tregon Eduartit se Fondacioni Firdeus do t’i sigurojë një punë të mirë që ai të mos ketë më nevojë të punojë 12 apo 16 orë në ditë…

Marina: Ti je një djalë shumë punëtor dhe Fondacioni Firdeus, ka vendosur që të të sigurojë një punë stabël, në një kompani prestigjioze. Ndërkohë Dorina (motra vogël e Eduartit), edhe për ty ka një surprizë. Ti ke shprehur dëshirën për të ndjekur një kurs profesional për parukeri. Fondacioni Firdeus është kujdesur për këtë, do të kesh mundësi ta ndjekësh kursin dhe menjëherë më pas ta ushrosh profesionin. Veçse do më premtosh diçka, do jem klientja jote e parë…

E në këto momente gëzimi me disa lajme të gëzueshme për motër e vëlla, një telefonatë  vjen Live në emisionin “Për Shqiptarët”. Në telefon është një mërgimtar shqiptar nga Shtetet e Bashkuara, i cili dëgjoi me kërshëri historinë e dhimbshme të Eduartit. I prekur shpirtërisht prej sakrificave, sprovave dhe lotëve të këtij djali, mërgimtari i dha Eduartit një lajm të mrekullueshëm.

“Uroj suksese të pafundme për misionin që keni ndërmarrë. Desha t’ju përshëndes juve, të përshëndes sinqerisht vëllain ton Elvis Naçi. Unë jam Shpëtim Useini, jam nga Amerika dhe emisionin jam duke e ndjekur në DigitAlb. Për hir të së vërtetës, rasti i Eduartit më preku shumë shpirtërisht. Është një djalë shembull, model për të gjithë të rinjtë. Meqenëse Eduarti ka shumë halle, së pari desha të them se dua ta ndihmoj, por ndihmën që dua t’ja bëj, dua t’ja kushtoj nënës sime. Veprën që dua t’ja bëj Eduartit dua ta bëj në emër të nënës sime që është e sëmurë dhe ka kancer edhe që unë nuk e di sesa kohë ajo do të ketë.

Në emër të saj, unë dua të dhuroj për Eduartin 10 mijë dollarë.

Unë sadopak dua t’ja lehtësoj hallet.  Zoti të lehtësohtë. Një këshillë e imja, ai person që kujdeset për nënën e babën, Zoti do ta qesë faqebardhë të gjithë jetën e tij”

I mbushur në emocione, Eduarti falenderon përzemërsisht mërgimtarin.

“Të falenderoj shumë. Ndonjëherë falenderimet janë të pakta. Me gjithë ato probleme të mëdha që ka, me nënën e sëmurë, ai vendos të mbështesë edhe njerëz si unë… për këtë e falenderoj shumë, nuk po di sesi t’i dedikoj një falenderim më të madh”

Elvisi: Shpëtimi është një mik i këtij emisioni dhe përherë mundohet të bëjë mirë. 10 mijë dollarë nuk janë pak, por zemra e shqiptarit qenka e madhe. Ai e ka me të vërtetë nënën shumë të sëmurë e madje, në këtë kohë që ka marrë në telefon, me siguri ai është pranë saj, pasi ajo është shumë sëmurë.

Eduart, ky 10 mijë dollarësh, pagesa e qirasë për shtëpinë, punësimi në një punë të mirë, unë besoj se ti tanimë do t’ja dalësh dhe familja jote do të jetë sërish krenare për ty.