Mërgimtari në “Për Shqiptarët”: Nënën e kam me kancer, por pasi dëgjova historinë tënde, dua të të dhuroj 10 mijë $

Të shumta kanë qenë emocionet e dhurua në puntatën e parë të emisionit “Për Shqiptarët”, transmetuar mbrëmjen e të premtes në televizionin Top Channel.

Por një moment që mbase zë vend të veçantë, ishte telefonata LIVE e një njeriu zemërmirë, një shqiptari që prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë moment, emisioni përcillte historinë e dhimbshme të Eduartit, një të riu 25 vjeçar që prej 5 vitesh kujdesej për familjen e tij, për dy motrat e vogla dhe nënën e sëmurë.

Eduarti e humbi babain 5 vite më parë nga kanceri në kokë, ndërsa më pas iu sëmur nga zemra e ëma. I mbushur në borxhe prej sëmundjes së babait e më pas prej nevojës për t’i siguruar ilaçet të ëmës, Eduarti punoi deri në tre punë në ditë për t’ja dalë.

I prekur nga historia e dhimbshme e Eduartit, mërgimtari telefonoi Live studion e “Për Shqiptarët”, për t’i dhënë një lajm të mrekullueshëm 25 vjeçarit.

“Uroj suksese të pafundme për misionin që keni ndërmarrë. Desha t’ju përshëndes juve, të përshëndes sinqerisht vëllain ton Elvis Naçi. Unë jam Shpëtim Useini, jam nga Amerika dhe emisionin jam duke e ndjekur në DigitAlb. Për hir të së vërtetës, rasti i Eduartit më preku shumë shpirtërisht, në zemër. Është një djalë shembull, model për të gjithë të rinjtë. Meqenëse Eduarti ka shumë halle, së pari desha të them se dua ta ndihmoj, por ndihmën që dua t’ja bëj, dua t’ja kushtoj nënës sime. Veprën që dua t’ja bëj Eduartit dua ta bëj në emër të nënës sime që është e sëmurë dhe ka kancer edhe…. unë, nuk e di sesa kohë do të ketë nëna ime.

Në emër të saj, unë dua të dhuroj për Eduartin 10 mijë dollarë.

Unë sadopak dua t’ja lehtësoj hallet.  Zoti të lehtësohtë Eduart. Një këshillë e imja, ai person që kujdeset për nënën e babën, Zoti do ta qesë faqebardhë të gjithë jetën e tij”