Në Shqipëri mbi 340 mijë beqarë nga mosha 25 deri në 59 vjeç, shumica janë meshkujt

Në 33 vitet e fundit në Shqipëri, ndryshimet kanë qenë rrënjësore. Mes tyre modeli i jetesës, familja dhe struktura e saj kanë pësuar ndryshime të shpejta.

Sipas të dhënave të fundit të dala nga Censi, numri i banorëve beqarë në moshat 25-59 vjeç po rritet, në veçanti numri i meshkujve.

Janë në total 212,232 meshkuj që janë beqarë në grupmoshat 25 deri në 59 vjeç. Ky numër, përbën 40% të totalit të meshkujve në këto mosha.

Për të njëjtën grupmoshë, femrat beqare janë 129 mijë, një numër që përfaqëson vetëm 23% të totalit në grupmoshën 25-59 vjeç.

Meshkujt beqarë, të shumtë në numër

Për t’ju rikthyer shifrave për meshkujt. Numri më i lartë i meshkujve beqarë, i përket grupmoshës 25-29 vjeç, me një numër prej afro 67 mijë personash (31% e meshkujve beqarë)

Në grupmoshën 30-34 vjeç, koha kur “pritet” të krijosh familje, ka mbi 59 mijë meshkuj që janë beqarë (27% e meshkujve beqarë).

Në grupmoshën 35-39 vjeç, ka po ashtu një numër prej 41 mijë beqarësh. Në grupmoshën 40-44 numri bie ndjeshëm në 22 mijë e 600 beqarë meshkuj.

Në grupmoshën 50-54 vjeç, numri beqarëve shkon në 6800.

Femrat beqare, diferenca të thella me meshkujt

Po të vëzhgosh ndarjen e beqarisë tek femrat sipas grupmoshës, gjen një tjetër pamje. Njëlloj si meshkujt, beqaret në numrin më të lartë janë 25-29 vjeç, ku numërohen afro 59 mijë persona. Ky është dhe harku kohor kur gratë bëhen nëna, një interval kohor i cili dukshëm nga ndryshuar me kalimin e viteve. Diçka e tillë vihet re edhe nga rënië e numrit të beqareve në grupmoshën  30-34 vjeç, krahasuar me vajzat në moshën 25-29 vjeç.

Në grupmoshën 30-34 vjeç, ka gjithsesi në total 26 mijë e 600 beqare, një numër që ulet fare pak në grupmoshën 35-39 vjeç dhe tregon shumëçka për analizën e popullsisë.

Në grupmoshën 35-39 vjeç ka afro 26 mijë femra beqare. E fundit grupmoshë, 50-54 vjeç, numri i femrave beqare bie në 1166.