“Po ju drejtohem juve emisionit “Për shqiptarët”, me shpresë se do t’i vini në ndihmë një babai 84 vjeçar që kujdeset i vetëm për vajzën e sëmurë. Ajo gjendet e shtruar në reanimacion dhe në gjendje jo të mirë. Gjyshi, siç i themi ne, po jeton këtu në spital. Fle këtu, ha këtu dhe e gjen çdo ditë të ulur në një stol për të pritur lajme për vajzën. Unë nuk e njihja më përpara. Na bashkoi halli nëpër korridoret e spitalit. Mamaja ime është sëmurë rëndë, nuk e di nëse ia del. Për hir të saj, uroj që dikush të ndihmojë familjen e gjyshit, sepse kanë shumë nevojë. Ju lutem, bëni diçka pr t’i dhuruar pak çaste gëzimi, sepse këto kohë vetëm po vuan.”
Ishte kjo letra e një vajze e cila historinë e dhimbshme të gjysh Bardhit, e mësoi në hollet e spitalit, atje ku ajo qëndronte për të ëmën. Nëna i ndërroi jetë, por kjo grua zemërmirë s’mundi të harrojë dot, të mundohet të bëjë diçka për të moshuarin që flinte në spital, asnjëherë më shumë se 10 metër larg vendit ku e bija qëndron e intubuar.
Gjysh Bardhi është 84 vjeçar. Prej mëse 40 ditësh, ai jeton në spitalin e kryeqytetit pasi e bija vuan nga një sëmundje e rrallë në mushkëri dhe aktualisht ndodhet e intubuar. Ajo është e vetëdijshme, por nuk mundet të flasë, pasi janë aparaturat ato qe e mbajnë me oksigjen.
Pavarësisht kësaj, Marjeta flet me babain përmes mesazheve me shkrim nëpër recetat e spitaleve.
Në emisionin “Për Shqiptarët”, u publikuan disa prej këtyre letrave, të cilat kur i lexon të thyejnë zemrën.
Këto janë disa prej mesazheve që Marjeta, vajza e 84 vjeçarit, i shkruan të atit. Marjeta pyet nëse vajza e djali i saj janë mirë, nëse kanë ushqim dhe që babai të mos lodhet, por të kthehet në Vlorë e të mos torturohet më në spital
E teksa këto letra u bënë publike, nga studio e emisionit “Për Shqiptarët”, Elvisi i jep këtë mesazh gjysh Bardhit.
Elvisi: Ne nuk e kemi ditur. Në moshën 84 vjeçare, ai ka fjetur nëpër stolat e spitalit. Jemi të lumtur që një vajzë na e solli si informacion. Sonte, në “Për Shqiptarët”, gjysh Bardhi është nën kujdesin e shqiptarëve.
Kalvari vuajtjeve të të moshuarit
Por vajza e sëmurë e gjysh Bardhit është veçse e fundit sprovë e madhe që ka goditur këtë burrë. Vite më parë ai humbi djalin e vetëm. Pak muaj pasi i ndërroi jetë djali, e shoqja, po ashtu u nda nga jeta. Nëna nuk mundi të përballojë dot humbjen e djalit dhe pas la të shoqin, gjysh Bardhin e dy vajzat e tyre.
Vitet kaluan dhe vajzat e gjysh Bardhit u martuan. Marjeta solli në jetë dy fëmijë, një vajzë e një djalë. Fati do të tregohej i hidhur për të, pasi i shoqi e braktisi, e la të vetme me dy jetimë. Edhe kësaj here, ishte babai i Marjetës, gjysh Bardhi, ai i cili do të merrte sërish në shpatulla përgjegjësi.
“Do jem aty derisa ime bijë të japë frymën e fundit”
E për të ardhur tanimë në ditët e sotme, kohë kur barra është bërë plumb e rëndë, ndërsa shpatullat e këtij burri që duroi kaq shumë, janë plakur, plot 84 vjet. Në emisionin “Për Shqiptarët”, gjysh Bardhi tregoi sesi ia del.
Gjysh Bardhi: 120 mijë lekë të vjetra pension marr unë dhe 90 mijë lekë të vjetra merr Marjeta. Kaq janë të ardhurat. Unë paguaj qira 100 mijë lekë, por kam patur një gjë… nuk kam dashur të dorëzohem kurrë në jetë.
Fjalët e tij bëhen edhe më të dhimbshme, lotët i zënë sytë, kur thotë se prej vajzës nuk do të largohet kurrë, sa të ketë frymë.
Gjysh Bardhi: Unë jam në karrige të spitalit. Edhe kur më mpihen këmbët, ngrihem mbi të në gjunjë dhe ashtu shplodhem. Ata të pavionit më kanë bërë një lehtësi, më kanë lënë ta shoh vajzën në çdo moment gjatë natës. Më erdi një nip dhe më tha do të rrij unë një natë. I thashë jo, e kam përgjuar dhe do ta shoh vetë kur (ime bijë) do të japë frymën… (përlotet)
Doja të ikja para vajzës sime, por sërish tërhiqem… se kur vajza më thotë janë dy fëmijët e ti tre… më mbledh dorën, më bën grusht. Unë se kam më atë moshë, por do të bëj ç’të jetë e mundur, sa të më dalë fryma, për ata fëmijë.
Për të gëzuar gjysh Bardhin, në “Për Shqiptarët” vjen mbesa e të moshuarit. 84 vjeçari ka shumë ditë pa e parë. Ai fshin lotët, ndërsa në fytyrë, për pak momente, sytë i shkëlqejnë nga gëzimi, ndërsa duart e tij të lodhura ledhatojnë me kujdes flokët e mbesës.
Lajme të gëzueshme ka edhe për këtë Anxhelën, të cilat mund t’i ndiqni në këto momente prekëse.
Veç mbesës, një tjetër surprizë e pret gjysh Bardhin. Drita e syve, vajza e tij Marjeta, ka mësuar disa orë para nisjes së emisionit, se i ati do të jetë në mbrëmje live në “Për Shqiptarët”. Ajo ka dashur t’i dedikojë një mesazh të atit, njëlloj siç kanë bërë në këto kohë të vështira përmes letrave.
Marina Vjollca e lexoi letrën e Marjetës, e cila shkruan:
Babi, zemrat e mia, Anxhela e Amarildo. Po e shkruaj këtë letër se dua t’ju them diçka. Babi, nuk ta kam thënë, por ti je babi më i mirë në botë. Të falenderoj pafund për çdo sakrificë që po bën për mua. Ta them me plot gojën, jam krenare që kam një baba si ti.
Fëmijët e mi, ju dua shumë. Jeni pasuria ime më e madhe. Lutem çdo ditë që të shërohem, vetëm për ju, sepse dua të rri pranë jush. Dëshiroj që të vazhdoni shkollën dhe t’ju shoh sa më mirë. Nëse ju jeni mirë e të lumtur, unë do të jem 10 herë më e lumtur. Sot është ditë e veçantë për mua, jam e gëzuar dhe shpirti ma ndjen që edhe ju të gëzoheni.
Ju dua shumë, pres me padurim t’ju përqafoj.
Gjysh Bardhi e Anxhela nuk e dinë në fakt, se për çfarë flet Marjeta. Ajo e ka mësuar nga stafi, atë që ky i moshuar do ta dëgjojë prej Elvis Naçit në studionin e “Për Shqiptarët”.
Elvisi: Më preke shumë, kur the se vajzës do t’i rri deri në frymën e fundit. Pse? Pse mendon o gjysh i nderuar, mendon se vajza nuk do t’ja dalë?
Gjysh Bardhi: E kam parë sikletin, vajta kohë me të, të keqen. Ajo u sëmurë që në Vlorë… nuk e di.
Elvisi: Tani, më dëgjon pak mua të lutem. Dua të të shpjegoj diçka. Kemi qarë të gjithë kur kemi dëgjuar historinë tënde. Ne kishim mundësi të paguanim një shtëpi me qira për ty, shkollën për mbesën, konviktin, por asgjë nuk po ngjiste. Po për vajzën e gjysh Bardhit? Mjekësia këtu në Shqipëri nuk është në nivelet më të larta. Nuk e imagjinoni vëllezër e motra, se çfarë përpjekjesh bëhen për të shpëtuar jetë shqiptarësh…
Elvisi: Gjysh Bardhi…
Gjysh Bardhi: Udhëro…
Elvisi: Unë sot të flas në emër të fondacionit Firdeus, në emër të Top Channel. Ne kemi kontaktuar spitalet më të fuqishme në botë dhe ju nuk e imagjinoni dot çfarë gëzimi… një nga spitalet më të mira në botë, na ka dhënë shpresa të pafundme, që vajza jote gjysh Bardhi ka shanse, që ti ta kesh pranë, e ta përqafosh sërish…të jap fjalën e shqiptarit gjysh Bardhi. Vëllezër e motra shqiptarë, ju japim fjalën bashkërisht, që shumë shpejt, ne do ta nisim Marjetën në një spital prestigjoz. Betejë do të ketë. Lutjet nuk do të mungojnë nga ana jonë
Ndiqini në videon e mëposhtme këto momente prekëse