Historia e familjes Xhaja është si ajo e shumë familjeve tjera që jetojnë mes vështirësive. Por për këtë familje kthesa tragjike vjen një vit më parë, në gusht të 2023. Kryefamiljari Fiqireti, bashkëshorti i Shqiponjës 32 vjeçe e baba i dy fëmijëve të mitur, Fjoralda 11 vjeçe e Alkioni 6 vjeçar, i jep fund jetës së tij. Trupi i 41 vjeçarit gjendet pranë liqenit të Belshit.
Fiqireti kishte bërë shumë sakrifica për familjen. Prej kohësh kishte punuar në emigrim, atje ku edhe pësoi një aksident që e la thuajse të paaftë për të punuar. Ai jetonte në Belsh e punonte së bashku me të shoqen në mbledhjen e përgatitjen e duhanit e rigonit. Por më 9 gusht, pas afro 2 vitesh në gjendje të rëndë, ai mori vendimin e trishtë…
Ditën e varrimit djali kishte parë të atin e pajetë, ndërsa nënës i kishte thënë “pse po fle babi, pse nuk zgjohet”…
Ishte dita më e zezë e jetës sime kujton Shqiponja, e cila më tutje mori fëmijët dhe lëvizi në shtëpinë e babait. Që prej asaj kohe, vështirësitë ekonomike veçse janë shtuar. Djali Shqiponjës ka një problem në sy i cili duhet kuruar disa vite më vonë, ndërsa e bija, dita ditës përlotet dhe e merr malli për të atin.
“Për Shqiptarët” së bashku me një mërgimtar zemërflori, vendosën t’ja ndryshojnë jetën kësaj nëne me dy jetimët e saj, duke i bërë realitet ëndrrën më të madhe.
Shikoni këtu momentet tepër emocionale, kur nëna me të bijën përfshihen nga lotët e gëzimit.
Në studion e “Për Shqiptarët”, Elvisi tregoi se bamirësi që i bëri me banesë të re jetimët e familjes Xhaja, ndodhej aty. Izeti, mërgimtari zemërmirë, tha se Shqiponjës, e dy jetimëve, i uron me shpirt ta gëzojnë shtëpinë e re.
“Elvis, pikë së pari ju falenderoj juve që na dhatë mundësinë të bëjmë bamirësi për këto familje (me jetimë). Siç e thatë, ne një bamirësi e kemi bërë. Unë u them kësaj familje, me zemër e nga shpirti, ta gëzojnë shtëpinë e re.”-tha Izeti.
“Të jesh i sigurt që e ka patur rrisk Izet. Unë e di sa i gëzuar je, se zemra jote fluturon. Të falenderojmë shumë shumë”-tha Elvisi.