“Beni ishte punëtor i palodhur” Pse iu mor jeta babait të dy fëmijëve në Itali, misteri i kameras së prishur

Një telekamera e cila në mënyrë të papritur nuk funsionon, duke mos regjistruar kësisoj një atentat që tronditi të gjithë komunitetin në Pisa të Italisë fqinje. Viktimë mbeti një 37 vjeçar shqiptar. Rezart Arshiaj ishte baba i dy djemve të mitur, fëmijë të cilët tashmë mbeten jetimë.

Kushdo që e njihte Benin siç e thërrisnin në komunitet, tregon se 37 vjeçari ishte njeri i punës së palodhur de mbi të gjitha, një njeri familjar. E në fakt, shkruan Corriere, të dielën e vrasjes së tij të pamëshirshme, ai kishte nxjerrë për drekë familjen e tij. Më tutje kishte shkuar të lante furgonin me të cilin punonte, ndërsa më tutje në punë, tek një familjar i tij.

Shtëpinë e kishte në zonën e Oratoios, përballë kishës ku të dielën po zhvillohej një festë.

Corriere Fiorentino thekson se me gjasë killerat ishin dy. E duket se këta të fundit i kanë bërë pritë 37 vjeçarit duke e pritur në hyrje të shtëpisë së tij. Ende pa parkuar makinën mirë, Arshiaj është qëlluar disa herë. 5 plumba i kanë shpuar trupin, ndërsa dy të tjera i ka marrë në pjesën e kokës.

Shumë dëshmitarë okularë kanë menduar se kanë qenë fishekzjarre, pasi vrasja është zgjedhur të kryhet gjatë festës që ndodhte pak metra larg vendit të krimit dhe nën zhurmën e këmbanave të kishës.

E para që pa ngjarjen ka qenë fqinja, ndërsa më pas bashkëshortja e Benit që po kthehej në banesë me djalin 9 vjeçar. Gruaja e të riut është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat në vendin e ngjarjes. Ajo më pas është transportuar në spital, ndërsa fëmijët i kanë marrë familjarët.

Kur policia ka ardhur në vendin e ngjarjes, ka gjetur të pajetë 37 vjeçarin për të cilin s’mund të bëhej asgjë më. I shumtë kaosi në rrugë për shkak të festës, ndërsa dy personat e dyshuar për vrasjen mendohet se janë larguar me një skuter.

E në mesin e misterit, një tjetër element i dyshimtë. Në zonën ku ndodhi vrasja ka patur një kamera, e cila ka rezultuar të ketë qenë jofunksionale deri në orën 22:00 të mbrëmjes së të dielës, plot 1 orë pas ekzekutimit të 37 vjeçarit.

Pronari i telekamerës, shkruan Corriere, ka treguar se kamera funksiononte e regjistronte, por të dielën është prishur.

“Kamera ka regjistruar të premten e të shtunën, por të dielën është prishur dhe ka qëndruar ashtu deri në orën 10 të darkës. Më shkoi ndërmend se dikush e ka sabotuar”,thotë ai.

Policia po kryen verifikime mbi misterin e telekameras dhe sesi ajo ka dalë nga funksionimi. Prokuroria tanimë e ka në dorë rezultatin e autopsisë së viktimës, i cili është qëlluar me pistoletë të kalibrit të vogël.

Një tjetër ngjarje ku është përdorur kalibri i vogël i armës po hetohet, nëse ka lidhje me ekzekutorët e 37 vjeçarit shqiptar, por deri më tani nuk duket se dy rastet janë të lidhura.

Media italiane shkruan se asnjë pistë hetimi nuk është përjashtuar. Komunikim duket se ka patur edhe më autoritetet shqiptare, konkretisht me policinë. Rreth dy kilometra larg Oratoio-s, agjentët kanë gjetur dhe sekuestruar një skuter të vjedhur në fillim të muajit shtator. Në dorë të hetuesve është dhe telefoni celular i Benit, i cili mund të ketë në mesin e mesazheve ndonjë të dhënë që do të shërbejë si çelës për të zbërthyer një vrasje që ende mbetet e veshur në mister.