Babai bën 40 km në këmbë në mesin e stuhisë e përmbytjeve, për të shoqëruar vajzën në altar

Ajo që ishte programuar si një udhëtim 2 orësh me makinë nga Karolina jugut në qytetin Johnson në Tenesi, u kthye në një rrugëtim prej mëse 12 orësh në mesin e pasojave shkatërrimtare që la një stuhi e madhe e kategorisë IV.

Kjo është historia e David Jones, një histori e cila tregon më së miri se çfarë mund të bëjë një prind, një baba, për fëmijët e tij.

Jones u nis nga shtëpia me makinën e tij dhe u fut në autostradë. Burri u ndalua pak kilometra më tutje, kur një patrullë i tha se nuk mund të kalonte pasi të gjitha rrugët përpara ishin ose të bllokuara ose të përmbytura nga uji e rrënojat.

“Më duhet të kuptoni oficer. Nesër në orën 11:00 vajza ime martohet dhe unë do të jem atje për ta çuar time bijë në altar”,tregoi Jones për median amerikane.

Në këto kushte, babai lë makinën e tij dhe vendos ta kryejë rrugën në këmbë. Me celularin në dorë, kalkulon se i duhet të kryejë afro 50 kilometër (30 milje) në këmbë. Niset në këmbë. E shoqëron vetëm drita e celularit nëpër fusha. Rrugëtimi i tij kalon edhe nëpër momente tepër të rrezikshme.

Babai tregoi për median vendase se iu desh të përballej me sasi të mëdha rrënojash prej stuhisë (hurrikanit) të fuqishme që kishte goditur zonën. Në mesin e tyre një moment dramatik ku ai ishte zhytur deri në gjunjë në një zonë me baltë.

“Për një moment thashë se ngeca aty.  Isha zhytur në baltë, në mes të natës. Mendova se aty ishte fundi”-tregoi babai.

Fatmirësisht Jones arriti të dalë prej aty, i mbuluar në baltë dhe i lagur nga uji. Kishte arritur të bënte deri më tani afro 40 kilometër në këmbë dhe i mbeteshin edhe disa kilometra. Fatmirësisht për të, një fermer që kalonte me traktorin e tij ndaloi. Pa gjendjen e mjerueshme të Jones dhe e mori me vete. 10 kilometrat e mbetura të udhëtimit, babai i bëri i ulur në sediljen e traktorit.

Pavarësisht të gjitha sfidave, David Jones arriti të mbërrijë pas afro 12 orësh në destinacion. Në orën 11:00 të mesditës, ky baba çoi të bijën drejt altarit, në mesin e lotëve dhe emocioneve.

Për më shumë ndiqni videon