Një nënë së bashku me vajzën e saj të mitur janë gjetur pa shenja jete në banesën e tyre në Sllatinë të Tetovës. Ngjarja e rëndë ndodhi të martën, ndërsa autoritetet kanë ndaluar deri më tani kryefamiljarin, një 50 vjeçar.
Ky i fundit u dërgua në spital fillimisht së bashku me djalin e mitur të familjes, ndërsa më tutje është shoqëruar në polici. Rezulton se 50 vjeçari është i plagosur.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një sqarim të asaj që ka ndodhur. Trupat e viktimave, nënë e bijë, janë dërguar për autopsi për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes së tyre. Sipas Alsat, kryefamiljari 50 vjeçar dyshohet se është autori krimit të dyfishtë pasi në trupat e viktimave janë gjetur shenja dhune.
Sipas medias në Maqedoninë e Veriut, trupat e viktimave u gjetën nga nëna e viktimës, e cila ka shkuar në banesën e të bijës pasi një thirrje telefonike për ndihmë ka ardhur në urgjencën e Tetovës, atje ku ajo punonte.