Gjykata e Korçës ka ndryshuar masën e sigurisë për 3 persona, lidhur me ngjarjen e rëndë në Pogradec, ku mbeti i vrarë 42 vjeçari Egli Proga.
Voltan Shkullaku, Arian Manellari e Leonidha Guçe, janë dërguar në burg, ndërsa masa ka ndryshuar nga “detyrim paraqitje” në “arrest me burg”. Tre personat në fjalë kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit ka bërë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetasve: V. Sh., 40 vjeç, A. M., 55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, banues në Pogradec.
Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore”, në “Arrest në burg”, për veprën penale “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”, për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 1 Pogradec, ku humbu jetën shtetasi E. P., 42 vjeç.
Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës”, njoftuan autoritetet.
Proga u vra më 10 gusht të këtij viti në ambientet jashtë lokalit të tij në Pogradec. Autori i vrasjes, 29 vjeçari Denis Meçe, e qëlloi disa herë me grushte ndërsa më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Ai u arrestua nga policia një ditë më vonë.