Kore raciste e flamuj kuqezi kokëposhtë, FSHF: Akte të rënda, do t’i drejtohemi UEFA-s

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar në lidhje me koret e thirrjet raciste gjatë ndeshjes së djeshme mes Shqipërisë e Çekisë. Tifozët e këtyre të fundit madje nxorrën flamuj të Shqipërisë kokëposhtë apo flamuj që portretizonin Kosovën si pjesë të Serbisë.

Lidhur me të gjitha këto akte, FSHF thotë se do t’i drejtohet UEFA-s për të kërkuar menjëherë masa disiplinore.

“Federata Shqiptare e Futbollit dënon fuqimisht çdo formë të racizmit dhe fyerjes ndaj simboleve kombëtare dhe do të dërgojë një notë proteste në UEFA, duke kërkuar masa të menjëhershme disiplinore. FSHF reagoi menjëherë që në pushimin e pjesës së parë duke u kërkuar organizatorëve marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre akteve për të mos radikalizuar veprimet me ndërprerjen e lojës.

Futbolli është një lojë që bashkon dhe unifikon gjithë popujt duke promovuar barazinë dhe respektin për të gjithë, pavarësisht kombësisë apo përkatësisë etnike. Shqiptarët, si pjesë e familjes së madhe futbollistike, do të qëndrojnë gjithmonë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe nuk do të tolerojnë asnjë formë racizmi apo urrejtjeje duke dënuar me forcë çdokënd që tenton të përdhosë bukurinë e këtij sporti.”, shkroi FSHF-ja.