Kur këmba e këtij të moshuari shkeli në emisionin “Për Shqiptarët”, pakkush e dinte historinë e tij të dhimbshme, barrën e jashtëzakonshme që mbante në shpirt.
Gjysh Bardhi rrëfente historinë e tij, sesi i biri i vdiq e pak muaj pas tij i vdiq dhe e shoqja prej hidhërimit. Sesi vajza e tij Marjeta pati një jetë tepër të vështirë. Sesi ajo u braktis nga i shoqi dhe mbeti e vetme me dy fëmijë, e sesi ajo u sëmur dhe zuri shtratin e spitalit.
E sa më shumë rrëfente ky i moshuar, aq më shumë zemra prekeshin. Mijëra dhe më shumë. Mijëra e dhjetëra mijëra shqiptarë derdhën lot teksa dëgjonin gjysh Bardhin teksa thoshte se tanimë e bija ishte në fund. Se Marjeta nuk fliste pasi ishte intubuar. Se ai në moshën 84 vjeçare kishte fjetur për mbi 45 ditë në stolat e spitalit e se prej 8 ditësh e mbante shpirtin veçse me ujë… qindra mijëra shqiptarë qanë, kur gjysh Bardhi rrëfente se akoma ishte i fortë. Se do të qëndronte i fortë, derisa e bija të jepte frymën e fundit.
Por këtij të moshuari, zhytur në mjerim dhe në thellësitë më të errëta të dëshpërimit, kurrë nuk do t’ja merrte mendja, se jeta e tij do të ndryshonte. Në studion e emisionit “Për Shqiptarët” ai mësoi se për Marjetën e tij kishte shanse. Se ai nuk kishte më pse të mendonte vetëm për fundin, përkundrazi, ai mund të shpresonte, të shpresonte se e bija do të çohej në këmbë.
Ky është momenti që gjysh Bardhi nuk e mendoi kurrë. Këto janë çastet që i sollën në jetë ata qindra mijëra shqiptarë që derdhën lot teksa dëgjonin historinë e gjysh Bardhit. Çastet kur vajza e të moshuarit niset jashtë shtetit, për t’u kuruar, për të lënë pas hijen e vdekjes, për të shpresuar se ajo do të çohet në këmbë, do të puthë babain… dhe do të përqafojë djalin dhe vajzën.
E në këtë mrekulli të bërë të mundur nga bamirësia e atyre qindra mijërave që derdhën lot për të, ky është mesazhi që jep gjysh Bardhi.