Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme (23 tetor) në Fier, ku një 42 vjeçar dyshohet se ka tentuar t’i marrë jetën prindërve të tij, duke i vënë flakën banesës së tyre.
42 vjeçari i identifikuar si A.Sulejmani i ka vënë zjarrin banesës dhe sipas hetimeve paraprake i ka mbyllur brenda në dhomë prindërit me qëllin që ata të mos kishin mundësi për të dalë. Një prej të moshuarve ishte i paralizuar. Vetë 42 vjeçari është larguar pasi ka vënë zjarrin.
Ka qenë një i ri i cili ka ndërhyrë për t’i shpëtuar të moshuarit nga flakët. Të moshuarit i kanë thënë këtij të fundit se djali i tyre kishte spërkatur bombulën e gazit në banesë me benzinë dhe mandej i ka vënë flakën.
Çifti i të moshuarve ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve. 42 vjeçari është arrestuar nga autoritetet.
Të tjerë fqinjë thonë se 42 vjeçari vuante nga probleme të shëndetit mendor. Autoritetet thonë se më herët dyshohet se autori ka ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të moshuar.
“Nga hetimet paraprake rezultoi se djali i shtetasve të moshuar, shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Fier, i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar.
Po nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. S., 42 vjeç.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”,njoftuan autoritetet.