Mbrëmjen e djeshme JOQ publikoi një video shokuese ku shihej sesi një 48 vjeçar ushtronte dhunë fizike ndaj të ëmës së moshuar, duke përdorur gjithashtu dhe një gjuhë të shëmtuar e denigruese ndaj saj.
Burri është identifikuar si Alban Mansaku dhe është vënë në pranga këtë të premte (25 tetor) nga ana e policisë.
“Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të rastit, identifikuan dhe shoqëruan shtetasin A. M., 48 vjeç, banues në Tiranë. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i 48-vjeçarit për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon dhe fton mediat e qytetarët që të denoncojnë rastet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm”-njoftoi policia.
Rezulton se kjo nuk është e para herë kur 48 vjeçari ka ushtruar dhunë e ka kanosur nënën e tij. Të paktën kështu thonë banorët e zonës, të cilët tregojnë se Alban Mansaku ka ushtruar dhunë disa herë ndaj nënës së moshuar.