Në emisionin “Për Shqiptarët” në studio mbërriti një baba që prej 3 vitesh vuan çdo çast në shpirt. Vajza e tij e vogël, Melisa 4 vjeçe, është e sëmurë rëndë dhe rrezikon të shuhet.
Rexhepi vjen nga Malisheva dhe tregon përmes emocioneve se e bija po bën 3 vite që më shumë qëndron nëpër spitale. Rexhepi shpjegoi se vajza shkoi për vizitë rastësore, por mbeti në spital. Disa ditë pas qëndrimit aty, një gjakderdhje masive kaploi trupin e vogëlushes. Për 4 muaj me radhë mjekët nuk po mundnin të gjenin një diagnozë.
Familja mblodhi forcat dhe u nis drejt Turqisë përmes ndihmës së plot njerëzve zemërmirë dhe shtetit të Kosovës.
Atje u mësua se sëmundja e Melisës ishte shumë e rrallë, një në 1 milionë. Kurimet nisën dhe u duk se fillimisht gjithçka shkoi mbarë. Familja u kthye disa muaj më pas, por nuk ishte e shkruar që për vogëlushen dhe të gjithë familjen, të përfundonte këtu sprova.
Melisa sëmuret sërish. Vogëlushja ka bërë 5 operacione në harkun e tre viteve dhe ka shkuar mbi 12 herë në Turqi.
Prindërit e Melisës së vogël nuk e kanë humbur shpresën. Babai i vogëlushes erdhi në emisionin “Për Shqiptarët”, me një kërkesë të thjeshtë, të kërkojë një mundësi të vetme, për jetën e evladit të tij 4 vjeç.
Rexhepi: Mbi 50 doza gjak ka marrë vajza sa ka qenë në spital. Pas disa muajsh në këtë gjendje, doktoresha më tregoi, duhet të largoheni sa më parë. Në atë kohë (3 vite më parë), e kishim shumë të vështirë pasi nuk kishte viza të lira në Kosovë. Shkuam në Turqi. U pajisëm në mënyrë urgjente e shkuam atje. Për tri ditë u bë diagnostifikimi. Vajza kaloi 7 ditë në koma… ditën e tetë, ajo fillon të zgjohet.
Dhimbja ime më e madhe është që (në Turqi) nuk ka asnjë rezultat. Ne nuk po shohim më dritë edhe atje. Ka dashtë Zoti që ne e kemi njohur Alean (një vajzë e ndihmuar përmes “Shqiptarët për Shqiptarët”) atje dhe unë jam habitur sesi ajo u shërua. Kërkojmë ndihmë për vajzën, t’i japim një shans për t’u kuruar në Itali