Gjyshja e prindërit gëzojnë me lot kur Elvisi u jep lajmin: Pa lindur dielli, Leandra do të niset…

Mbrëmjen e të premtes në emisionin “Për Shqiptarët” në Top Channel, në studio mbërritën familjarët e Leandrës së vogël, një vajze 7 vjeçe që është prekur nga leuçemia.

Thirrjes për t’i ardhur në ndihmë vogëlushes iu bashkuan mijëra shqiptarë dhe brenda 24 orëve, u bë e mundur shuma e nevojshme për kurimin jashtë shtetit të Leandrës.

Në përfundim të emisionit “Për Shqiptarët”, Elvisi dha lajmin e gëzueshëm për familjarët e 7 vjeçares, mes tyre dhe gjyshen. E moshuara për 10 ditë fjeti nëpër stolat e spitalit, duke u lutur për një mrekulli për mbesën e saj të vogël.

Falë bamirësisë së shqiptarëve zemërmirë, mrekullia që kjo familje e varfër priste dëshpërimisht, më në fund erdhi.

“Leandra, në orën 4 të mëngjesit niset për t’u shëruar. Lekët janë mbledhur, ju e patë që shuma është arritur. Pa lindur dielli, Leandra do të niset, me qëllim për t’u shëruar.”-tha Elvisi gjatë emisionit të mbrëmjes së të premte në “Për Shqiptarët”.

Këtë të shtunë Elvisi njoftoi se vogëlushja ndodhet në spitalin ‘Bambino Gesu’ në Italinë fqinje dhe është hospitalizuar.

“Nje lajm i madh! Direkt nga emisioni “Per Shqiptaret” ne Spitalin Bambino Gesu ne Rome. Leandra na perloti te gjitheve mbreme, sot na pershendet nga Spitali ne Rome. Sot kerkojme lutje per Leandren te na kthehet e sheruar. Zoti ju shperblefte bamires. “Kush shpeton nje jete sikur ka shpetuar te gjithe njerezimin”-shkruan Elvisi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Leandra tanimë nis betejën e saj, në një prej spitaleve më të mira për fëmijë në europë. Ne lutemi që Leandra vogël të rikthehet shëndoshë e mirë në një kohë të shpejtë, me buzëqeshjen e saj rrezatuese.