Pamjet, “Gota Fria” shkakton përmbytje të mëdha në Spanjë, të paktën 62 viktima

Përmbytje të fuqishme kanë goditur Spanjën. Si pasojë e vërshimeve të mëdha, të paktën 62 persona kanë humbur jetën.

Zona më e goditur është rajoni i Valancias, atje ku është shpallur alarmi i kuq si dhe disa pjesë të Andaluzisë në jug të vendit.

Kërkime intensive vijojnë për të gjetur dhjetëra njerëz të shpallur të humbur, ndërsa autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë larg rrugëve dhe se bilanci i viktimave mund të rritet. Duke folur të mërkurën në mëngjes (30 tetor), Presidenti i zonës lindore në Valencia, tha se është ende herët për të dhënë një shifër të saktë mbi numrin e të vdekurve.

“Këto janë orë shumë të vështira për familjet e njerëzit që kanë humbur familjarë. Ne do të konfirmojmë numrin e viktimave gjatë orëve në vijim, por deri më tani është e pamundur për të dhënë një numër të saktë. Jemi në shok”-tha Carlos Mazon.

Imazhet në median spanjolle e rrjetet sociale, tregojnë sesi vërshimi i frikshëm i ujërave të turbullta, çan mes rrugëve të qytezës Letur në provincën e Albacete-s, duke tërhequr zvarrë makina dhe çfarë gjen përpara.

Si pasojë e reshjeve intensive, janë regjistruar në disa zona afro 160 mm shi brenda disa orëve. Këto reshje i atribuohen një fenomeni të njohur si ‘gota fria’, i cili ndodh rëndom kur masat ajrore të ftohta “pushtojnë” me shpejtësi zonën mesdhetare që prek gadishullin iberik, duke sjellë me vete reshje të fuqishme dhe intensive.

Përmbytjet parashikohen të vazhdojnë deri ditën e enjte (31 tetor). Spanja ka përjetuar stuhi të ngjashme në vitet e fundit. Meteorologët besojnë se ngrohja e Mesdheut po shkakton ngjarje ekstreme të motit.