“Është me rëndësi t’ju them se këtu në Paiporta moti ishte normal, kur papritur nisi të vijë sasi e madhe uji dhe brenda disa minutash niveli ujit shkoi në gjysëm metër thellësi”
Kështu e përshkruan vërshimin e ujit një mësues në zonën e Huerta Sur-it në Valencia, një prej vendeve të goditura rëndë nga vërshimet dhe përmbytjet e mëdha që kapluan Spanjën.
Mësuesi quhet Daniel Burguet dhe është kthyer në një hero të vërtetë për të gjithë spanjollët pas aktit të tij të guximshëm dhe vetëmohues.
Një moment është filmuar nga një banor i zonës, teksa mësuesi tenton të hapë një derë xhami përmes një cope druri për të larguar fëmijët nga niveli në rritje i ujit.
“Brenda asaj klase ishin disa fëmijë që prindërit ende nuk kishin ardhur për t’i marrë në shtëpi, dy mësues, si dhe tre fëmijë të tjerë të vegjël. Më të mëdhenjtë ishin 11 vjeçarë, ndërsa më të vegjlit 4 dhe 5 vjeçarë”-tregoi mësues për median spanjolle.
Burri u hodh në ujin që vërshonte me furi duke marrë përpara makina e rrënoja tjera dhe arriti në klasën ku kishin mbetur të bllokuar fëmijët.
“Uji erdhi me vërshim të madh, s’mund ta imagjinoni sesa shumë ujë. Në një pikë uji u rrit aq shumë saqë mu desh të vendosja tavolina mbi njëra tjetrën në mënyrë që të vinim fëmijët më lart. Në një pikë mendova se uji do të mbërrinte në tavan”-shtoi më tutje mësuesi.
Pasi rryma e ujit humbi fuqinë, mësuesi tregon se ka zbritur nga tavolinat dhe ka nisur të kërkojë për një mënyrë për t’u ngjitur në katet e mësipërme së bashku me fëmijët. Ai më tutje tregon se shkuli këmbën e një tavoline që notonte aty pranë dhe me të nisi të godasë një derë xhami në mënyrë që të ngjiste fëmijët në katet e larta, larg ujit. Ky është dhe momenti kur një banor i zonës aty e ka filmuar në celular, video e cila është bërë virale në të gjithë vendin.
“Pasi uji hyri në klasë, rryma ndaloi dhe vendoa të dal jashtë për të hapur derën (për t’u ngjitur larg). Pashë një tavolinë e cila pluskonte aty pranë. Mora njërën këmbë të saj dhe më të nisa të thyej xhamin e derës. Më pas bëmë një zinxhir (duke u mbajtur me duar) me fëmijët e mësuesit dhe të gjithë u ngjitëm larg. Uji më pas vijoi të shtohej dhe për pak arriti deri në taracën e akademisë (shkollës)”, shpjegoi mësuesi.
Mësuesi tregoi se niveli i ujit u rrit me shpejtësi të madhe dhe se në momentin kur apo thyente xhamin për t’u ngjitur lart, një sërë makinash që po i merrte me vete rryma i rrezikuan jetën, momente që sipas tij nuk janë filmuar nga banorët e zonës.
“Në video nuk e gjen, por teksa po thyeja xhamin aty kishte makina që pluskonin, kontenierë… një makth i vërtetë”-rrëfeu mësuesi, i cili më pas shtoi se “në mendje kisha vetëm diçka, të shpëtoja ata njerëz. Nëse nuk do ta kisha thyer atë derë xhami, nuk do të isha këtu për t’ju treguar historinë.“