Gara për Shtëpinë e Bardhë varet nga rezultatet e votimeve në shtatë shtete kyçe – Pensilvani, Wiscnonsin, Arizona, Xhorxhia, Karolinë e Veriut dhe Nevada.
Materiali në vazhdim i hedh një vështrim karakteristikave të tri shteteve kryesore fushëbetejë, që përbëjnë të ashtuquajturin ‘muri blu’.
Njihet si mbretëresha e shteteve fushëbetejë: Pensilvania është një nga shtatë shtetet që mund të përcaktojnë fituesin e kësaj gare presidenciale.
Analistët thotë se kandidatët Harris dhe Trump, duhet të fitojnë këtë shtet për ta fituar Shtëpinë e Bardhë.
Atyre u nevojiten 270 vota elektorale për ta fituar presidencën. Pensilvania ka 19 – një nga shtetet me numrin më të madh të votave elektorale në vend.
Por, është gjithashtu një nga shtetet më të vështira për t’u parashikuar.
Profesori i Shkencave Politike, Joe Morris thotë se Pensilvania konsiderohej si një bastion i besueshëm i demokratëve – pjesë e të ashtuquajturit ‘muri blu’.
“Kjo ndryshoi më 2016, kur Donald Trumpi hapi një vrimë gjigante në murin blu. Kjo përfshinte jo vetëm Pensilvaninë, por edhe Miçiganin dhe shtetin Wisconsin”, thotë zoti Morris.
Në zgjedhjet e vitit 2020, Pensilvaninë e fitoi kandidati demokrat, Presidenti aktual Joe Biden. Megjithatë, viteve të fundit Partia Republikane ka shënuar rritje në këtë shtet kyç.
“Numri i republikanëve të regjistruar në Pensilvani është më i madhi që kam parë ndonjëherë. Po shkojmë drejt barazimit të demokratëve dhe republikanëve, diçka që 10, 15 vite më parë ishte e padëgjuar”, thotë ai.
Shqetësimi kryesor i banorëve të Pensilvanisë – ngjashtëm me çdo shtet tjetër fushëbetejë – është ekonomia.
“Duhet të kujtojmë se shumë komunitete në Pensilvani u shkatërruan dekada më parë pas largimit të prodhimtarisë dhe të prekurit ende po kërkojnë rimëkëmbjen”, thotë profesori Morris.
Miçigani është po ashtu një nga shtetet kyçe.
Kjo është arsyeja pse Nënpresidentja Harris dhe ish-Presidenti Trump kanë kaluar shumë kohë në shtetin me 15 vota elektorale.
Detroiti dikur njihej si kryeqyteti i automobilave në botë. Por, industria e makinave ka pësuar rënie në Miçigan për dekada – për shkak të automatizimit dhe lëvizjes së kompanive jashtë vendit.
Për pasojë, banorët humbën vende të shumta pune që paguheshin mirë.
Kjo është të paktën një pjesë e historisë se si Miçigani u bë një shtet fushëbetejë, thotë profesori Michael Traugott.
“Do të thosha se rreth vitit 1980 nisën luhatjet e këtij shteti”, thotë ai.
Në vitet 70 dhe 80, Miçigani votonte vetëm për Partinë Republikane. Por më 1992, mbështetjen e mori kandidati demokrat. Kjo prirje, e fitores së demokratëve me një diferencë prej 5-10 pikësh vazhdoi deri më 2016, kur republikani Trump fitoi ndaj kandidates demokrate Hillary Clinton me më pak se 11 mijë vota.
“Kjo ishte si rezultat i gabimeve strategjike të ekipit të zonjës Klinon, që nuk u përqëndrua mjaftueshëm, sidomos në fund të fushatës, në shtetin e Miçiganit”, thotë profesori Traugott.
Presidenti Joe Biden e rifitoi shtetin më 2020 me gati 3 për qind.
Gjatë fushatës zgjedhore, rivalët Trump dhe Harris janë munduar të sigurojnë votat e votuesve të bardhë të klasës së mesme dhe sindikatave të tyre. Votuesit afrikano-amerikanë janë një grup tjetër i rëndësishëm që përbëjnë 13 për qind të elektoratit në Miçigan.
Një tjetër faktor në zgjedhjet e Miçiganit është komuniteti mysliman, shumë pjesëtarë të së cilit kanë kritikuar qasjen e administratës së Presidentit Biden ndaj konfliktit Izrael-Hamas.
Një tjetër shtet fushëbetejë, shumë i rëndësishëm është shteti Wisconsin që ka 10 vota elektorale.
Ky shtet, që gjendet në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara. Është i njohur për prodhimet e bulmetit dhe kulturën e konsumit të birrës, si dhe për garat tejet të ngushta zgjedhore.
Në dy zgjedhjet e fundit, ndryshimi mes fituesit dhe humbësit ka qenë më i vogël se 1 për qind.
“Ka diçka magjike në Wisconsin, karakteristikat demografike të grupeve që favorizojnë dy partitë baraspeshojnë njëri-tjetrin”, thotë profesori në Universitetin Wisconsin në Madison, Barry Burden.
Por përkundër këtyre zgjedhjeve historikisht të ngushta, kandidatët demokratë kanë fituar në Wisconsin deri në vitin 2016.
“Hera e fundit, para 2016, që një republikan kishte fituar në këtë shtet ishte në vitin 1984. Ky zhvillim i alarmoi të dyja partitë se diçka po ndodhte në këtë shtet”, thotë profesori Burden.
Presidenti Joe Biden e riktheu përkrahjen për demokratët në Wisconsin në zgjedhjet e vitit 2020. Por, kandidatja demokrate Kamala Harris nuk ia la rastësisë. Ajo e nisi fushatën e saj nga Miluaki. Republikanët po ashtu organizuan kuvendin e tyre në Wiskonsin.
Edhe në Wisconsin çështja kryesore për votuesit është ekonomia. Por është edhe një çështje tjetër që mund të jetë thelbësore.
“Aborti është bërë çështje kryesore, ndoshta më shumë se në pjesët tjera të vendit”, thotë profesori Burden.
Wiskonsin zakonisht renditet në mesin e pesë shteteve në nivel kombëtar me pjesëmarrjen më të lartë në votime.
Shtetet e tjera fushëbetejë në këto zgjedhje janë edhe Arizona me 11 vota elektorale, Nevada me 6 dhe Xhorxhia e Karolina e Veriut me nga 16.
Burimi: Zëri Amerikës