Me një avantazh të dukshëm përgjatë gjithë procesit të numërimit të votave, Donald Trump tanimë është e qartë se do të jetë Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fitorja e tij ndaj zv.Presidentes Kamala Harris, i jep Donald Trumpit mandatin e tij të dytë pas një gare të fortë e madje edhe dy atentateve të dështuara për jetën e tij.
Zgjedhja eventuale e Trump i cili merr nje mandat jokonsekutiv si lideri i shtetit më të fuqishëm të globit, është diçka që nuk ndodhte që prej vitit 1892, kohë kur Grover Cleveland fitonte mandatin e dytë jokonsekutiv (duke qenë Presidenti i 22-të dhe më pas i 24 i vendit).
Fitorja e Trump ishte e qartë që në momentin kur ai arriti të marrë shumicën në shtetet kyçe si Karolia e Veriut, Uiskonsin, Pensilvania dhe Xhorxhia.
“Dua t’ju falenderoj të gjithëve. Kjo është e mrekullueshme. Ne kemi mijëra miq në këtë lëvizje të jashtëzakonshme. Kjo është një lëvizje që askush nuk e ka parë ndonjëherë e unë besoj dhe është lëvizja politike më e madhe e të gjitha kohërave. Unë dua të falenderoj popullin amerikan për këtë nder të jashtëzakonshëm që më është dhënë. Për çdo qytetar, unë do të luftoj për ju dhe familjet tuaja dhe të ardhmen tuaj. Unë do të luftojë për ju. Dhe me çdo frymëmarrje të trupit tim, nuk do të ndaloj derisa të kem arritur të sjell një Amerikë të fortë dhe të begatë që fëmijët tanë dhe ju meritoni”-tha Trump në fjalin e tij të parë të fitores.