Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e të mërkurës (6 nëntor) në Korçë, atje ku një 41 vjeçar i identifikuar si Ilia Cani ka goditur me thikë ish partneren e tij, një grua të martuar dhe me fëmijë.
Ngjarja ka ndodhur në një prej rrugëve të lagjes nr.4, pranë spitalit në Korçë. Autori i kishte zënë pritë ish partneres. Me t’u përballur me 41 vjeçarin, gruaja e identifikuar si Manderina Çela, i ka kërkuar që ta lërë të qetë dhe të mos e përndjekë më, por autori është kundërpërgjigjur duke e goditur me thikë. Gruaja është dërguar në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me rastin ka folur motra e viktimës, e cila ka qenë po ashtu dhe dëshmitare e ngjarjes. Ajo tregoi se prej mëse dy vitesh, 41 vjeçari e përndiqte motrën ngado që ajo shkonte. Viktima madje ishte pajisur dhe me urdhër mbrojtje.
“E pashë që nga spitali, motra po kalonte rrugës së spitalit dhe ai i doli përpara, e shtriu në tokë dhe e goditi me thikë. Ka pasur shumë probleme më përpara, e ndiqte prej 2 vitesh, pasi motra i dha fund lidhjes. Motra e kishte denoncuar në policia, ajo u pajis me urdhër mbrojtje por vazhdonte përsëri ta përndiqte. Autori ishte në Greqi për 4 muaj, u kthye dhe filloi prapë ta ngacmonte. Ajo dilte për punën e saj, ai se linte rehat. Motra i thoshte mos më ndiq, se jam me burrë e fëmijë. Motra ka shtruar nipin këtu, ai e pa dhe e shtriu poshtë, ia futi thikën.”, është shprehur motra e Marjana Plakës.
Policia ndërkohë ka njoftuar se e ka arrestuar 41 vjeçarin, i cili rezulton të ketë qenë i arrestuar edhe më parë pikërisht për përndjekjen e ish partneres.
“Rreth orës 10:00, në lagjen nr. 4, shtetasi I. Ç., 41 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës thikë shtetasen M. Ç., e cila u dërgua për mjekim, në spital, dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar, shtetasi I. Ç.(i arrestuar dhe më parë për përndjekje të kësaj shtetaseje), është kapur nga shërbimet e Policisë dhe është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.”,njoftoi policia.