Maliq: 16 vjeçarja denoncon shokun e babait, ka abuzuar me mua prej 4 vitesh… flet familja e 44 vjeçarit

Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Sheqeras të Maliqit, atje ku një 44 vjeçar ka abuzuar prej vitesh me një vajzë të mitur.

I dyshuari i identifikuar si Edison Sheme është shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet se prej 4 vitesh abuzonte seksualisht me një vajzë në moshën 16 vjeçe.

Ka qenë vajza ajo që e ka denoncuar rastin në prani të prindërve të saj, duke treguar se abuzimet kanë nisur qëkur ajo ka qenë 12 vjeçe. Dyshimet janë se abuzimi seksual ka ndodhur në një magazinë në pronësi të 44 vjeçarit.

Nga ekzaminimi i bërë nga autoritetet përkatëse, rezulton se vepra e  “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur” është konsumuar.

Autori i dyshuar është arratisur. 44 vjeçari ishte mik me babain e të miturës, ndërsa magazina e tij ishte fare pranë stallës së bagëtive të familjes së vajzës së mitur.

Hetuesit po punojnë për të zbardhur ngjarjen. Në magazinën ku dyshohet se është konsumuar vepra penale, ka kamera sigurie të vendosura në ambientet e brendshme e të jashtme. Prokuroria ka sekuestruar serverin e kamerave, të cilat mundet të hedhin dritë mbi ngjarjen.

Jashtë kamerave nëna dhe bashkëshortja e 44 vjeçarit, e mohojnë kategorikisht akuzën e të miturës.

“Nuk ndodhesha në shtëpi për dy ditë pasi më lindi motra. Më erdhi policia në shtëpi dje por nuk më thanë asgjë se për çfarë bëhet fjalë. Më pyetën vetëm për Edisonin por unë nuk kam mundur të komunikoj me të. E mora vesh nga lajmet akuzën. Nuk ka shanse të jetë e vërtetë. Dyshoj që mund të jetë ndonjë çështje inati. Në dijeninë time, nuk ka ndodhur asnjëherë konflikt me familjen e vajzës, madje vajza dhe motra e saj vinin shpesh dhe këtu tek puna e Edisonit, më thërrisnin “teta”. Bashkëshorti im është njeri i rregullt, familjar, kemi 13 vite bashkë dhe kemi tre fëmijë”, është shprehur bashkëshortja.

 “Babai i vajzës ishte shok i ngushtë me djalin tjetër që kam në Greqi. Kjo që na është bërë ne, është për shkak të konkurrencës sepse djemtë e mi janë shumë punëtorë.”,ka thënë nëna e 44 vjeçarit.

Nga ana tjetër, familjarët e të miturës kanë treguar se ngjarjen e kanë mësuar prej medias pasi babai i vajzës nuk ka treguar.

“Rastin e morëm vesh nëpërmjet televizioneve. Nuk dinim asnjë gjë, sepse edhe vëllai nuk na ka thënë. Vumë re që dje nuk ishte fare në stallë familja e vëllait, as në shtëpi, dhe na ra në sy që mund të kishte diçka. Nuk kemi folur me vëllain, sot kishte ardhur në mëngjes tek stalla dhe iku pa na folur. Edisoni duhet të dënohet për këtë që ka bërë, nuk e besojmë dot dhe nuk na e merrte mendja të arrinte deri këtu.”, ka thënë xhaxhai i të miturës.