Kur dielli perëndon dhe bie nata, Ardiani del nga dyert e spitalit me sytë nga pas… në njërën prej dhomave ndodhet e bija Albjona, prekur nga kanceri i gjakut (leuçemi agresive).
Ditët për këtë baba janë bërë të errëta si netët, kohë kur ai bën ecejake dhe qan me lot… qan prej netësh, ndërsa ditën shikon i pafuqishëm sesi e bija pëson hemorragji prej sëmundjes. Ky baba nuk ka asnjë mundësi ekonomike që ta shpëtojë vajzën nga kjo sëmundje e rëndë, që po ia merr evladin dalëngadalë.
Rrëfimi i tij është thellësisht i dhimbshëm. Me lotët që nuk i ndalojnë për asnjë moment, ai pyet veten sesi erdhi kjo ditë e errët për evladin.
“Ah moj vajzë, si na ra kjo bombë… si na ra kështu papritur…kurrë nuk e kishim menduar. Si erdhi kjo ditë kështu… (qan). Duke ndenjur gjithë natën nëpër stola të spitalit. Asnjë shpresë…(qan me dënesë) Baba këtu do të presë, derisa të dalësh”-thotë Ardiani mes lotëve.
Familja Bibaj nga Postriba e Shkodrës, jeton në kushte të vështira dhe nuk ka asnjë mundësi ekonomike. Ardiani punon ku të mundet punë krahu, ndërsa e shoqja në bujqësi. Prindër të dy fëmijëve, familja Bibaj është tronditur nga sëmundja e vajzës së vogël, Albjonës. 12 vjeçarja duhet të niset urgjentisht për kurim jashtë shtetit, pasi në atdhe shanset për të po shuhen. Familja u lutet kujtdo shqiptari zemërmirë që ka mundësi të dhurojë për Albjonën, të dhurojë për t’i ofruar një shans për jetën një vajze 12 vjeçe.