Burri godet me thikë 4 kalimtarë në rrugët e Ferizajt, mes tyre e plagosur rëndë një vajzë 10 vjeçe

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur orët e pasdites në Ferizaj, ku një burrë ka goditur me thikë katër kalimtarë në disa prej rrugëve të qytetit.

Në mesin e të plagosurve janë dy vajza të mitura në moshat 10 e 15 vjeçare. Dy të lënduarit e tjerë janë dy djem të moshave 29 e 32 vjeç. Tre nga katër të plagosurit janë dërguar për trajtim më të specializuar në QKUK, ndërsa media e Kosovës njofton se vogëlushja 10 vjeçe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Lajmin e ka konfirmuar dhe drejtori i  Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, i cili ka thënë se e mitura 10 vjeçe është duke iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa dy të plagosurit e tjerë janë në gjendje më të mirë, jashtë rrezikut për jetën.

Rastet e therjeve me thikë janë regjistruar në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” e “Ejup Statovci”. Policia është vënë në kërkim të autorit të dyshuar së bashku me forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Pas kërkimeve, autoritetet kanë bërë të mundur arrestimin e autorit, i identifikuar si E.Sadiku, rreth 59 vjeçar.

“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intenzive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ”Riza Matoshi” në afërsi të qendrës tregtare ”Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar”, njoftoi policia.