Shqiptari ndërroi jetë gjatë fluturimit për në Angli, dëshmitarët tregojnë çfarë ndodhi

Një shtetas shqiptar humbi jetën gjatë udhëtimit me avion nga Tirana drejt Mançesterit në Angli, ngjarje e cila solli kaos mes pasagjerëve e ekuipazhit të aeroplanit.

Media britanike shkruan se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e datës 10 nëntor. Pasi avioni ka kaluar mbi Zvicër e Francë, shqiptari është ndjerë keq papritur.  

Një pasagjer në avion tregoi se burri nisi të kishte ‘konvulsione (dridhje) të forta’, pak para se të lëvizej nga ndenjësja ku ishte ulur.

Ai ndaloi së marri frymë dhe aty gjithçka u bë kaos”-tha një prej dëshmitarëve për median britanike.

Disa nga ne që dinim sesi të kryenim CPR (reanimacion kardio-pulmonar) ndërhymë për të ndihmuar dhe nisëm të kryejmë masazhin kardiak”,vijoi më tutje me rrëfimin e tij dëshmitari.

Persona në bord si dhe dy pjesëtarë të ekuipazhit vijuan të kryejnë masazh kardiak mbi shqiptarin, teksa piloti avionit njoftoi për uljen emergjente në aeroportin më të afërt. Avioni u ul në “Stansted” të Londrës. Në vendin e ngjarjes shkuan disa automjete, përfshi këtu dy ambulanca, zjarrfikësit e aeroportit dhe shërbimet e emergjencës.

“Dy pjesëtarë të ekuipazhit dhe tre pasagjerë vijuan duke bërë masazh kardiak për afro 25 minuta, kur më në fund u ulëm në Londër. Mjekët e urgjencës vijuan me orvatjet për 30 minuta të tjera. Neve na thanë të dalim nga avioni”-tha për median britanike dëshmitari okular.

Por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, shqiptari nuk mundi të shpëtohej. Ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

“Pas afro 1 ore, ambulanca ishte ende aty. Ne hymë sërish në avion me një tjetër ekuipazh avioni për të vijuar udhëtimin deri në Mançester. Burri dhe miqtë e tij nuk ishin. Pyeta më vonë dhe më thanë që fatkeqësisht ai nuk ia kishte dalë të mbijetonte.”-përfundon rrëfimin e tij për median britanike, dëshmitari okular.