Jeta e një adoleshenti 14 vjeçar u këput në mes pas një sherri disa metra larg derës së shkollës 9 vjeçare ‘Fan Noli’ në Tiranë.
Sipas asaj që njoftojnë autoritetet, tre të mitur në moshat 14 vjeç janë përleshur mes tyre, ndërsa adoleshentët kanë përdorur thika.
Motivi i sherrit mbetet ende i pazbardhur, por dyshimet janë se përleshja ka ardhur për motive banale. Me mbarimin e mësimit, konflikti ka nisur afro 200 metër larg shkollës, atje ku veç grushteve janë përdorur dhe mjetet e mprehta.
Dy 14 vjeçarë mbetën të plagosur. Njëri prej tyre humbi jetën pak pasi u dërgua në spitalin e traumës, ndërsa tjetri ndodhet nën kujdesin e mjekëve, me plagë të shkaktuara nga goditje me thikë.
Policia sqaron se një prej autorëve të dyshuar është shoqëruar në polici, ndërsa vijon ende puna për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.