“Përgjegjësi kryesor është familja, më përpara mësuesit i shihnim si prindër, sot thonë erdhi kjo”

Vrasja e një 14 vjeçari  në një shkollë në mes të Tiranës e shtyrë nga motive banale, tregon edhe njëherë gjendjen etiko-morale në të cilën ndodhet i gjithë vendi ynë i vogël, Shqipëria.

Një ditë pas krimit të rëndë të ndodhur pak metra larg 9 vjeçares ‘Fan Noli’, të shumtë janë prindërit që më shumë se kurdoherë tjetër, kanë ardhur në numër më të lartë, për të sjellë vetë fëmijët në shkollë. Shumë syresh, ata me fëmijë më të vegjël, sot më shumë se kurdoherë tjetër, kanë shtrënguar fort duart e fëmijëve të tyre, deri tek dera e shkollës.

Shumë prindër kanë folur, kanë dhënë mendimet e tyre, mesazhet e tyre. Të gjithë ngushëllojnë familjen e 14 vjeçarit që humbi jetën. Askush nuk do të donte ta provonte dhimbjen që nëna, babai e të gjithë të afërmit e Martinit po provojnë në këto momente.

Të tjerë rroken të gjejnë arsyet e një krimi që ka tronditur kaq shumë, pasi viktimë ka mbetur një fëmijë dhe dora që e mori, është po e një fëmije.

 “Po tani nëse fëmija vjen i shoqëruar me prindin dhe prindi është në dijeni… edhe zotëria nuk ka çfarë të bëjë (roja). T’i kushtojnë njëçik vëmendje dhe fëmijëve (prindërit) se rrinë gjithë kohës në Tiktok e Instagram, tani… Unë jam me dy fëmijë vetë, dua të iki sa më larg nga Shqipëria. Ka edhe jashtë nëpër botë që ndodhin këto gjëra, futen nëpër shkolla edhe vrasin, por po na bëhet rasti i katërt brenda pak muajve kështu, dhe sa është Shqipëria, një lagje.

Përgjegjësi kryesor është familja. Nëse shoqëria dështon, hallka e parë është familja. Kjo është e gjitha. Mësuesit më para kanë patur autoritet, por unë sot shikoj që nëpërkëmben. Më përpara ne shikonim mësuesin dhe dridheshim, i kishim si prindër të dytë. Ndërsa tani janë si njerëz rruge, “erdhi ky”, “erdhi kjo”, tani të lutem shumë, edhe prindërit të bëjnë rolin e prindërve, të mos e kërkojnë nga shkolla.”-thotë nëna e dy fëmijëve.

“Ti ketë lënë uratat, u prehtë në paqe, u bëftë dritë. Nuk e njihja, por ishte në lule të fëmijërisë. Kam vajzën këtë shkollë, në parashkollor. Nuk kam dëgjuar më parë për raste të në këtë shkollë, në këtë zonë”, tha një nënë e cila sot solli vajzën e saj në shkollë.

“Këtu vijnë çdo ditë fëmijët e shkollës, pijnë cigare. Është ngjarje shumë e rëndë. Në kohën tonë dridheshim prej mësuesit, tani kanë ndryshuar kohërat”, tha një qytetar tjetër.

“Nuk mjafton vetëm një portier, sa për të hap dhe të mbyllur portën.Erdha për të sjellë vajzën, është në klasë të katërt. Vajza e madhe e njihte, ishte djalë i mbarë s’ka pasur konflikte. Të tjerët e ngacmonin se sa ai vetë.  Në çdo shkollë ndodhin këto gjëra. Duhet një oficer sigurie për shkollat. Ne si gjyshër jemi në shërbim të fëmijëve. Kjo detyrë nuk është e jona. Sigurimin e fëmijës e bën tjetërkush, jo unë, unë jam një korrier për t’i sjellë, për t’i marrë. Nuk i di detyrat e oficerit të sigurisë, por flas se çfarë duhet bërë”, u shpreh një burrë në moshë.

“I keni bërë liberelë fare, s’guxojnë mësuesit t’i thonë fëmijës një fjalë se vjen prindi me vrap. Kam nipin në klasë paralele. Nuk e di si është…nuk kam guxim ta pyes. Që mbrëmë deri sot, nuk kemi…E priste nëna në shtëpi për drekë ku vajti ai fëmijë, ku i vajti. Ku ishte përgjegjësia e mësuesve, e rojeve te dera, e shokëve, prindërit duhet ta mësojë fëmijën ta dojë shokun, të respektojë mësuesen, më të madhin, jo kështu” shprehet një grua e moshuar, e tronditur nga ngjarja qe ka ndodhur.

Përpara derës së shkollës, kanë folur dhe të njohur të viktimës. Njëri prej tyre, gjimnazist tanimë, tha këto fjalë.

“E kena pas në shkollë, se ne jemi në gjimnaz tani.  Ka qenë shumë çun i mirë, i urtë. Nuk dinim gjë për ngjarjen unë isha në shkollë. Atë që mendohet se është autori e njihnim si person, por nuk e kishim shok. Kemi ardhur për ti sjellë lule. Edhe në qoftë se nuk të njihte Martini të respektonte. Nuk e dimë kush mban thika e kush jo në shkollë” tha i riu.