Një grua e quajtur Argentina Hidreshaj, ka rrëfyer momentet kur i ka ardhur në ndihmë të miturit 14 vjeçar që mbeti i vrarë të hënën, pak metra larg shkollës 9 vjeçare ‘Fan Noli’ në kryeqytet. Në një rrëfim të ndjerë, gruaja ka treguar se në zonë ndodhej krejt rastësisht, pasi kishte ardhur për të blerë mish në një prej dyqaneve që ndodhet afër shkollës. Aty janë fillimisht ka dëgjuar britmat e njerëzve dhe më pas është afruar.
Ajo tregoi në “Opinion” se ka parë mbi 50 vetë që kishin rrethuar zonën pranë të ndjerit. E shtyrë nga instikti i nënës, gruaja ka marrë djalin dhe e ka futur në makinën e saj private, me qëllim për ta çuar sa më parë drejt spitalit. Ajo rrëfen se e ndihmoi një grua tjetër, ndërsa më tutje një burrë ka hyrë në makinë për t’i mbajtur plagët të ndjerit.
“Djali ishte i përgjakur. Ishte gjallë. Personat e kishin rrethuar. Aty ishin mbi 50 njerëz që e kishin rrethuar. Bërtita, ju lutem një makinë më ndihmoni dikush. Flaka çantat e mishit dhe me makinën time shkova tek djali. E shtriva mbrapa makinës dhe bërtisja, ju lutem një burrë të më shoqërojë, një burrë që t’i mbajë plagën. Para meje ishte një farmaciste, edhe ajo bërtiste ju lutem na ndihmoni. Askush nuk ndihmoi. Më thonin jo policia, jo po ambulanca, por unë jam nënë. Një burrë hyri dashur pa dashur, i mbante plagën. Djali u zgjua, po kërkonte mamin. Thoshte mami, mami…

I fola si nënë, shpëtove o të keqen, shpirti mamit, të lutem se shpëtove erdhëm te spitali. Burri i mbante plagën shtrënguar… Në makinë nuk doli asnjë pikë gjaku. E vetmja gjë që mbeti në makinën time (përlotet) ishin këpucët e tija.
Në kryqëzimin tek rruga ‘Bardhyl’, aty erdhi ambulanca. Ata morën djalin. Ne u gëzuam se ishte me shenja jete dhe thamë ia hodhi djali. Me farmacisten shkëmbyem numrat. Unë u nisa tek QSU-ja. Ambulanca nuk u vonua, se unë për 3-4 minuta kam dalë në rrugën Bardhyl. Polici nuk kishte ardhur. Djali ishte koshient, thërriste mamin. Djali ishte zverdhur. Me farmacisten e ndoqëm deri tek spitali ushtarak. Fëmija kishte ndërruar jetë brenda në spital.
Prindërit i takova, u thashë që si nënë nuk e kam lënë djalin tuaj, e mora, ka qenë me frymë me fjalë, dhe më pas ia dhamë ambulancës.”-rrëfeu gruaja mes lotëve dhe emocioneve.