Një 41 vjeçar shqiptar ka humbur jetën në rrethana tragjike në Bergamo të Italisë fqinje. Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën, në një kantier ku po punonte i ndjeri.
Media italiane shkruan se Elton Dema po punonte për të siguruar një tendë dhe ishte ngjitur mbi një makineri me pirun, në momentin kur është shtypur në mes të strukturës dhe automjetit.
Kur mjekët e urgjencës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, 41 vjeçari kishte pësuar arrest kardiak. Mjekët kanë arritur ta reanimojnë dhe më tutje e kanë dërguar në spital.
Fatkeqësisht Eltoni nuk mundi t’i mbijetojë plagëve e traumës. 41 vjeçari ndërroi jetë pas dy ditësh agonie në spitalin San Gerardo di Monza.
Autoritetet vijojnë punën për të hedhur dritë mbi dinamikën e aksidentit që i kushtoi jetën 41 vjeçarit. Prokuroria po heton gjithashtu nëse makineria (piruni) ka patur probleme teknike.